Ndërlidhjet

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, Kosova mbetet ende një vend që po i mëson “hapat e parë” të zhvillimit të demokracisë, vlerësojnë analistët në Prishtinë. Megjithatë, ajo nuk rrezikon të identifikohet me ndonjë lloj të diktaturës.

Kosova është në fazën fillestare të demokracisë, qoftë si shoqëri apo edhe si shtet, vlerësojnë analistët. Sipas tyre, në Kosovë ka ende një lloj të demokracisë së kontrolluar, por nuk bëhet fjalë për diktaturë.

Analisti Shkëlzen Maliqi thotë se baza ekonomike e sociale, relativisht e shkatërruar, mungesa e përvojës dhe elitës së burokracisë shtetërore që merr përsipër zhvillimin e vendit, e bëjnë Kosovën një vend me demokraci krejt fillestare.

Si zhvillim pozitiv, Maliqi e sheh aprovimin e ligjeve me standarde evropiane. Kurse, defektet e demokracisë, sipas tij, vërehen çdo kund, qoftë te pozita apo edhe opozita, të cilat, sipas Maliqit, objektiv kryesor deri më tash kishin përfitimet dhe tenderët e ndryshëm dhe jo zhvillimin e demokracisë.

“Defekti kryesor është diskontinuiteti në zhvillimin e Kosovës dhe praktikisht 30 vjet të gjendjes së jashtëzakonshme, e cila nuk mund të tejkalohet lehtë”.

“Nuk ka lidhje sistematike mes fushave të ndryshme të jetës dhe, meqë kosovarët për shumë vjet kanë qenë të detyruar të gjenden vetë, e kemi edhe tash një situatë pak a shumë anarkike”,
thekson Maliqi.

Analisti Maliqi vlerëson, po ashtu, se Kosova si një vend në tranzicion, më shumë po instalon demokraturën sesa demokracinë. Sidoqoftë, me një prani të theksuar ndërkombëtare dhe zhvillimet e tashme, Maliqi nuk sheh rrezik të vendosjes së diktaturës.

Janë këto format e vendeve në tranzicion, që në vend të demokracisë, e instalojnë një lloj demokrature ku disa praktika totalitare kombinohen me parlamentarizmin, me lirinë mediave e kështu me radhë”.

“Një diktaturë klasike nuk mendoj se mund të realizohet këtu, për arsye se këtu, megjithatë, Kosova është një territor i kontrolluar ku janë trupat e NATO-s, si edhe misioni mbikëqyrës ndërkombëtar”,
thotë Maliqi.

Ndërkohë, analisti Belul Beqaj thotë se institucionet dhe mekanizmat shtetërore të Kosovës po dëshmohen shumë të pafuqishme dhe i kanë lënë të gjitha proceset demokratike në duart e ndërkombëtarëve, çka sipas tij është shumë shqetësuese.

“Konsideroj se institucionet kosovare të demokracisë, çdo gjë që është e rëndësishme, përpos pushtetit, e kanë lënë faktikisht në duart e ndërkombëtarëve. Në fakt, mekanizmat e pushtetit të Kosovës me këtë politikë po e pranojnë pafuqinë dhe paaftësinë që t’i menaxhojnë proceset demokratike për ta funksionalizuar shtetin e ri të Kosovës”, vlerëson Belul Beqaj.

Ai shprehet mjaft kritik si ndaj Qeverisë aktuale ashtu edhe atyre paraprake, duke i parë ato edhe si ngulfatëse të pavarësisë së sistemit gjyqësor, çka sipas tij, dëshmon një defekt të madh në demokracinë kosovare.

Njëherësh, Belul Beqaj kritikon edhe organet tjera të pavarura, përfshirë edhe mediat kosovare, që nuk kanë arritur të dëshmojnë pavarësinë e tyre, siç ndodh në vendet me demokraci më të zhvilluar.

“Të bëhemi të sinqertë se në këtë konfuzion dhe ngufatje të pushteteve të pavarura në Kosovë, edhe mediat nuk po e kryejnë atë funksion që u takon”.

“Mediat, në vend se të bëhen një pushtet i katërt, në kuptimin e kontrollimit të proceseve ligjore, ato faktikisht janë bërë pjesë e pushtetit dhe këtu e shoh që situata po sillet në rreth”, thotë Beqaj.

Sidoqoftë, analistët, ndonëse e shohin Kosovën si shoqëri dhe si shtet në fazën e hershme fillestare të ndërtimit të demokracisë, parashohin se ky vend mund të shënojë përparime në zhvillimin demokratik gjatë një periudhe të ardhshme 10-vjeçare, kur dihen edhe aspiratat e Kosovës për integrim dhe përfshirje në strukturat evropiane, me ç’rast vendet, paraprakisht, duhet të dëshmojnë edhe një shkallë më të lartë të zhvillimit të demokracisë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG