Ndërlidhjet

logo-print

Protokolli për bashkëpunim policor, i nënshkruar ndërmjet misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe Serbisë, mund ta ketë efektin e vet vetëm me përfshirjen e Policisë së Kosovës, thonë ekspertët për siguri në Kosovë. Ata vlerësojnë se protokolli është në favor të përmirësimit të situatës së sigurisë në vend.


Ekspertët për çështje të sigurisë në Prishtinë thonë se në implementimin e protokollit për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Qeverisë së Serbisë, duhet të përfshihet edhe Policia e Kosovës.

Ata vlerësojnë se, meqë protokolli bën fjalë, kryesisht, për përmirësimin e shkëmbimit të informatave për krimin e organizuar, përfshirja e Policisë së Kosovës në zbatimin e këtij dokumenti është e pashmangshme.

“Çështje tjetër që ka mbetur të trajtohet është se si do të fillojë apo do të zgjidhet bashkëpunimi në shkëmbimin e informacioneve operacionale, që nënkupton të dhënat”.

“Kjo është e rregulluar në Ligjin për Policinë e Kosovës në nenin 30.9 ku përcaktohet se kompetencën për dhënien e këtyre informacioneve, një organizate ndërkombëtare, e ka drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Pra, pa një bashkëpunim të faktorëve relevantë të brendshëm, sipas mendimit tim, nuk mund të zbatohet ky protokoll”,
thotë Ibishi.

Përfaqësues të EULEX-it e kanë thënë se me nënshkrimin e protokollit për bashkëpunim policor me shtetin serb, procesi i forcimit të kontakteve drejt shkëmbimit të informatave ka hyrë në fazën fillestare.

Prishtina zyrtare, ndërkaq, vazhdon ta kundërshtojë marrëveshjen në fjalë, duke e quajtur atë “një çështje të mbyllur”.

Të pyetur nga “Radio Evropa e Lirë” për përfshirjen eventuale të Policisë së Kosovës në zbatimin e protokollit, zyrtarë nga ky mekanizëm nuk kanë dashur të prononcohen duke thënë se Policia e Kosovës, si organ ekzekutiv, zbaton urdhrat e institucioneve më të larta.

Mirëpo, eksperti Fadil Kajtazi nuk e kupton këtë mohim të institucioneve përgjegjëse.

“Kujtoj se shkëmbim informacionesh ka pasur edhe pa nënshkrimin e këtij protokolli. Policia e Kosovës ka pasur takime të rregullta edhe me policinë e Serbisë. Edhe EULEX-i ka pasur takime të rregullta me policinë e Serbisë. Protokolli vetëm e ka formalizuar një gjendje, e cila ka qenë e paformalizuar juridikisht”, shprehet Kajtazi.

Pas nënshkrimit të protokollit për bashkëpunim policor është paralajmëruar nënshkrimi i protokolleve EULEX-Serbi edhe për doganat dhe gjyqësinë.

Marrëveshje të ngjashme për bashkëpunim teknik, sipas Ibishit, ka pasur edhe në kohën e administrimit të Kosovës nga Kombet e Bashkuara.

“Kjo ka funksionuar edhe më herët, nën UNMIK-un. Ka pasur marrëveshje bashkëpunimi. Është edhe dokumenti i Kombeve të Bashkuara për luftimin e krimit i vitit 2000”.

“Kishte qenë më e mira që në këtë marrëveshje, pasi që ka marrë një formë të prerë, të kenë kyçje direkte edhe autoritetet e policisë së doganave - pra të Policisë së Kosovës”,
thekson ai.

Zbatueshmëria e protokollit në Kosovë, përveç se është diskutuar në skenën politike kosovare, është komentuar edhe nga përfaqësuesit e serbëve kosovarë.

Këta të fundit e kanë quajtur të papranueshëm zbatimin e protokollit për bashkëpunim policor, po qe se ky zbatim nuk bëhet në përputhje me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG