Ndërlidhjet

"Zgjedhjet funksionalizojnë decentralizimin"



INFOPRESS
Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009 për zgjedhjen e Kuvendit të Komunës dhe kryetarit të Komunës mbahen në 36 komunat e Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Kufijtë Administrativë. Zgjedhjet lokale në Mitrovicë të Veriut dhe Partesh, do të mbahen pas themelimit të Ekipeve Përgatitore Komunale. Të martën, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR), Pieter Feith, ka bërë të ditur se tri komunat e reja të Kosovës dhe një komunë e zgjeruar janë të gatshme për t’u themeluar sa më parë që të jetë e mundur pas zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit 2009. Në bazë të përgjegjësive të tij sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin, Feith ka konstatuar se përgatitjet në komunat e reja: Graçanicë, Kllokot-Vërbovc, Ranillugë dhe komunën e zgjeruar të Novobërdës, do të jenë kryer...

KOSOVA SOT
Ndërsa rrjeti i organizatave qeveritare ka protestuar kundër nënshkrimit të protokollit në mes EULEX-it dhe Serbisë, presidenti i Kosovës ka ritheksuar se institucionet e Kosovës nuk janë palë e kësaj marrëveshjeje. Organizata joqeveritare “Fol” i ka dërguar një letër kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, me anë të së cilës ka kërkuar interpretimin e vendimit për protokollin, nëse nënshkrimi i njëanshëm nga EULEX-i, pa pëlqimin e institucioneve të Kosovës, përbën shkelje të Kushtetutës. “Kjo letër është mishërim i vlerave të Bashkimit Evropian si dhe përgjigje ndaj thirrjes për t’u sjellë si shtet, në të cilin rast institucionet shtetërore duhet të marrin përgjegjësinë kushtetuese që ju takon”, ka thënë drejtori i kësaj organizate, Ramadan Ilazi. Ai tha se Kuvendi i Kosovës është organ i ratifikimeve të marrëveshjeve ndërkombëtare, prandaj nënshkrimi i këtij protokolli, pa përfshirjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës përbën shkelje të nenit 65, alineja 12...

EXPRESS
Kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kanë ngrënë së bashku Iftar, të martën, në Natën e Madhe. Kanë folur dhe kanë buzëqeshur. Por, kjo nuk do të thotë se rivaliteti mes tyre ka marrë fund. Në fakt, nga sot ata do ta ashpërsojnë gjuhën. Listat e kandidatëve të tyre, në mesnatë, janë dërguar në KQZ. Tash, do të kërkojnë vota shtëpi për shtëpi. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, janë ulur në një tryezë të martën mbrëma në Iftarin e Natës së Madhe, të shtruar nga Myftiu, Naim Tërnava. Dy rivalët më të mëdhenj politikë në Kosovë kanë folur dhe i kanë buzëqeshur njëri-tjetrit në një hotel të Prishtinës për më shumë se gjysmë ore, për herë të parë që nga viti 2004. Në ndeja të ndryshme jozyrtare, Thaçi e Haradinaj sikur janë marrë vesh t’i rrinë larg njëri-tjetrit brenda një perimetri të caktuar. Por, atë që s’e bënë ambasadorë e misionarë të tjerë, e bëri Myftiu Naim Tërnava, Kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës...

ZËRI
Pas shprehjes së interesimit për të marrë pjesë në seancat dëgjimore në GJND në mbrojtje të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga ana e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës e vendeve tjera, edhe Rusia ka shprehur të njëjtin interesim, por duke u pozicionuar tek pretendimet e aleatit të saj, Serbisë. Seancat dëgjimore në GJND fillojnë më 1 dhjetor. Pritjet e Prishtinës janë që procesi të përmbyllet deri në prill të vitit 2010. Ligjshmëria e shpalljes së pavarësisë së kosovës nga 1 dhjetori i këtij viti pritet të mbrohet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë nga Kosova, SHBA, Britania e Madhe, Franca e vende mike të vendit tonë. Përderisa do të kundërshtohet dhe cilësohet si pavarësi në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare nga ana e Serbisë, Rusisë e vendeve tjera si Brazili, Sllovakia apo Rumania...

BOTA SOT
Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, Shqipëria është tani në pozitë më të favorshme në rrugën e integrimeve evropiane, kanë thënë zyrtarët e BE-së, pasi që kanë pranuar raportin OSBE - ODIHR-it, lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt, vendi i të cilit kryeson Bashkimin Evropian tha se bazuar në raportin e marrë, Shqipëria është tani në pozitë shumë më të mirë për të vazhduar procesin e integrimeve. Me të njëjtin u pajtua edhe komisionari evropian Olli Rehn. Pasi që Shqipëria aplikoi për status kandidati në muajin prill, Bashkimi Evropian kishte premtuar se do e trajtojë këtë kërkesë në takimin iniciator të shtatorit. Mbarëvajtja e zgjedhjeve në Shqipëri ishte kushti kyç për vazhdimin e procesit të integrimit në strukturat evropiane...

EPOKA E RE
“Do të ishte e dobishme për çdo subjekt politik, ashtu edhe për LDK-në, ta ketë prijësin e saj në fushatë. Nuk mund të them se nuk është hendikep për ne, por megjithatë, mund të them se LDK-ja është e sigurt se në komunat që udhëheqë do të fitojë prapë, por edhe do t’i rikthejë”, është shprehur anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ismet Beqiri. Edhe analisti politik Ramush Tahiri e ka vlerësuar veprim të mençur mospjesëmarrjen e Sejdiut në fushatë. “Nuk mendoj se i mungon, bile, përkundrazi mendoj se i ndihmon kjo çështje LDK-së. Mospjesëmarrja e presidentit Fatmir Sejdiu në fushatë tregon se LDK-ja është për respektimin e ligjit dhe sundimin e ligjit”...

KOHA DITORE
Grupi i ashtuquajtur KHG-Crew, apo grupi i hakerave kosovarë, kanë sulmuar faqet e internetit të Ushtrisë, Departamentit të Mbrojtjes dhe akademive ushtarake të Serbisë. Në faqet e sulmuara nga hakerat shqiptarë, me të kuqe në fillim të faqes është shkruar: “United States of Albania”, që në shqip do të thotë Shtetet e bashkuara të Shqipërisë, për të vazhduar më pas me mesazhin se, “asgjë nuk mund të na ndalojë”. Në mesazhin që është paraqitur, i njëjtë në rreth 18 faqe të internetit të Serbisë, hakerat shqiptarë thonë se e kanë bërë këtë sulm, në shenjë proteste pers nënshkrimit të protokollit në mes të EULEX-it dhe Serbisë...

LAJM
Rregullorja për shërbyesit civilë ia pamundëson një numri të madh të të punësuarve në administratën shtetërore kandidimin në zgjedhjet lokale, duke i varfëruar listat zgjedhore. Me gjithë reagimin e partive politike dhe kërkesës së bërë të hënën nga presidenti Fatmir Sejdiu për mundësinë e rishikimit të vendimit të marrë nga Ministria e Administratës Publike (MAP), dhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për pjesëmarrjen e shërbyesve civilë në zgjedhje, dy ministritë gjegjëse nuk i kanë lëvizur nga vendimi i marrë. Zëdhënësja e MAPL-së, Lumnije Demi, tha se meqenëse inkuadrimi në kandidatura dhe fushata elektorale kërkon angazhim, qëllimi kryesor i këtij udhëzimi është që, pavarësisht fushatës elektorale në nivel komunal, të mos ndërhyhet në përgjegjësitë dhe obligimet që kanë shërbyesit civilë ndaj pozitave zyrtare në institucionet publike...
XS
SM
MD
LG