Ndërlidhjet

SHBA: Rusia dhe Kina – ndër sfidat kryesore

  • Andrew Tully

Çdo katër vjet, komuniteti i inteligjencës i Shteteve të Bashkuara, e përpilon strategjinë kombëtare, mbi sfidat e jashtme ndaj interesave amerikane. Këtë vit, në krye të sfidave gjenden katër shtete: Irani, Koreja Veriore, Rusia dhe Kina.



Drejtori i Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, Denis Bler, e ka publikuar raportin më të ri, në të cilin theksohet se Rusia, Kina, Irani dhe Koreja Veriore, paraqesin sfidën më të madhe për interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Denis Bler


Përfshirja e Iranit dhe e Koresë Veriore, nuk do ta befasojë askend, por vënia në këtë listë e Rusisë dhe e Kinës, është diçka që nuk është pritur.

Në raport thuhet se Moska dhe Uashingtoni kanë qëllime të përbashkëta në sigurimin e aramtimit të tyre bërthamor, që ai të mos bie në duart e gabuara.

Por, poashtu theksohet se Rusia “mund të vazhdojë të synojë rrugë për rikthimin e forcës dhe të ndikimit në mënyrën që mund t’i komplikojë interesat e Shteteve të Bashkuara”.

Sa i përket Kinës, që rregullisht tregëton me Shtetet e Bashkuara dhe është pronare e një borxhi amerikan prej disa miliardë dollarësh, në raport thuhet se Pekini po bën garë për të njejtat burime, të cilat i duhen Amerikës dhe është në procesin e modernizimit të shpejtë të ushtrisë së saj.

Analisti nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Antoni Kordesman, thotë se mbivlerësimi i këtyre sfidave do të ishte gabim, por Uashingtoni duhet ta mbajë shikimin në të dyja vendet.
Antony Kordesman


Sipas tij, Kina është forcë e rëndësishme ushtarake si në kuptimin e armatimit bërthamor ashtu edhe të atij konvencional. Kur kësaj i shtohet edhe synimi i saj për burime, që i duhen ekonomisë kineze për të shënuar rritje, atëherë bëhet e qartë se me çfarë sfide duhet garuar.

”Derisa Kina po bëhet një nga ekonomitë më të mëdha botërore, ekzistojnë sfida reale se ku do t’i merrni mineralet e pamjaftueshme, pastaj eksportet energjetike në rritje dhe furnizime të tjera”.

“Pra, duke e marrë Kinën seriozisht dhe duke e parë atë si një rrezik potencial, është diçka që realisht duhet të bëhet. Kjo nuk e bën atë armik, kjo nuk e bën atë kërcënim, por ju nuk mund të paraqiteni si fuqi e madhe, pa u bërë subjekt i shqetësimit”,
thotë analisti Kordesman.

Rusia, poashtu, paraqet problem për Shtetet e Bashkuara, thotë ai.

Është ish perandori, që ende duhet ta stabilizojë ekonominë e saj dhe të ndërtojë sistem stabil demokratik. Është poashtu një fuqi e madhe atomike dhe lëvizë nëpër Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në Azinë Qendrore, në mënyrën që i bën të tjerët të mos jenë të qetë.

Analisti Kordesman thotë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të rrezikojnë, që të mos e monitorojnë për së afërmi ish armikun nga Lufta e Ftohtë.
Sheshi i Kuq, Moskë


”Kur ju shikoni atë që ende është fuqia e dytë më e madhe atomike në botë dhe fuqia e dytë ushtarake, pastaj eskportuesi kyç i teknologjisë ushtarake dhe vend me ndikim të madh ndërkombëtar, atëherë do të ishte joreale që atë të mos e shikoni si rrezik potencial”.

“Kjo do ishte edhe dështim nga ana e komunitetit të inteligjencës”,
thotë
Kordesman.

Megjithatë, sikur edhe për Kinën, analisti Kordesman thotë se e gjithë kjo nuk është arsye që Rusia të shikohet si armike.

Ai pajtohet me konkludimet e raportit për Strategjinë Kombëtare të Inteligjencës se Irani është sfidë për politikën e Shteteve të Bashkuara, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por poashtu, edhe në Afganistan, për shkak të programeve bërthamore dhe raketore dhe ndihmën që Teherani e jep për militantët, e që Uashingtoni i konsideron terroristë.
Ushtria iraniane, Teheran


”Në të gjitha këto territore, Irani është fuqi kritike dhe është vend, të cilin Shtetet e Bashkuara, duhet ta shohin së paku si armik potencial”.

“Për këtë ka arsye të mira, pasi Irani në mënyrë të vazhdueshme ka deklaruar se është armik ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj”,
thotë Kordesman.

Në mesin e çështjeve tjera, në raport theksohet se Al-Kaida dhe grupet aleate militante, janë më pak të rrezikshme për Shtetet e Bashkuara, pasi tash Uashingtoni i njeh ato më mirë se kurrë më parë.

Por, këto grupe, e vaçanërisht Al-Kaida, ende po përpiqen të sigurojnë armatim të shkatërrimit në masë, për t’i përdorë kundër Perëndimit.
XS
SM
MD
LG