Ndërlidhjet

Huruglica: Pengesa serioze nga doganat e Serbisë


“Pas shpalljes së pavarësisë, kalimit të përgjegjësive nga doganat e UNMIK-ut në ato të Kosovës, futjes në fuqi të dokumentacionit të ri dhe vulave të reja, dogana serbe e ka refuzuar bashkëpunimin”, thotë Naim Huruglica, drejtor i Doganave të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Huruglica, pas nënshkrimit të protokollit midis EULEX-it dhe Serbisë për bashkëpunimin policor është përmendur edhe protokolli tjetër për doganat. Çka do të nënkuptonte ky protokoll për doganat e Kosovës?

NAIM HURUGLICA
Tek rasti ynë unë nuk kam dijeni për një gjë të tillë. Mua nuk më është dhënë, ta zëmë, një kopje ose një draft i një dokumenti që quhet draft i protokollit mbi doganat. E gjithë ajo çfarë unë kam dëgjuar, është përmes medieve, e jo diçka zyrtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili, në fakt, është bashkëpunimi i doganave të Kosovës me doganat e Serbisë?

NAIM HURUGLICA
Derisa doganat ishin nën mbikëqyrjen e UNMIK-ut, ka qenë një bashkëpunim, d.m.th Kosova dhe Serbia janë pjesë përbërëse e CEFTA-s. Ne bënim shkëmbimin e të dhënave, p.sh., të origjinës, nëse një mall eksportohej në Kosovë, edhe ne kishim dyshime se ishte origjina serbe ose anasjelltas.

Pas shpalljes së pavarësisë, pas kalimit të përgjegjësive nga doganat e UNMIK-ut në doganat e Kosovës dhe futjes në fuqi të dokumentacionit të ri dhe vulave të reja, dogana serbe ka filluar ta refuzojë bashkëpunimin. Që nga ajo ditë ne nuk kemi një bashkëpunim të tillë, ka pengesa vërtet serioze, në kuptimin që ndalohet në tërësi eksporti kosovar i shoqëruar me dokumente kosovare, por edhe tranzitimi i mallrave.

Nga ajo ditë, bashkëpunimi nuk ekziston. Ne takohemi kohë pas kohe me kolegët tanë serbë në takime ndërkombëtare, d.m.th. jashtë Kosovës dhe jashtë Serbisë kur organizohen nën ombrellën e komisionit evropian, por nuk ka një bashkëpunim bilateral, në këtë rast, mes dy organizatave.

Arsyeja kryesore, së paku ajo që na thuhet nga kolegët serbë gjatë atyre takimeve grupore, është se arsyeja është politike, d.m.th. kanë pengesë nga qeveria serbe që të bashkëpunojnë me një institucion të Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Veriu, për ju dhe për vetë institucionin tuaj vazhdon të mbetet një sfidë. Si e shihni ju zgjidhjen e problemeve që janë krijuar atje?

NAIM HURUGLICA
Nga data 19 shkurt 2008, kur u shkatërruan ato dy pika, në realitet ne humbëm kontrollin direkt në kufi. Krejt çka bëmë ne ishte shtimi i aktiviteteve të njësive tona lëvizëse antikontrabandë, me qëllim që, së paku, ta parandalojmë atë futje të mallit ilegal që të mos humbet kontrolli dhe mos të prishet në përgjithësi stabiliteti ekonomik i vendit.

Futja e mallrave ilegale dëmton tregtinë legjitime, dëmton taksat, dëmton konkurrencën, dhe si të tillë, ne kemi arritur deri në një masë ta zvogëlojmë atë. Hap pozitiv ka qenë edhe vendosja e stafit të EULEX-it që u bë në janar të këtij viti për arsye se hap pas hapi kanë bërë disa zhvillime. Bashkërisht kemi bërë rindërtimin e infrastrukturës që u shkatërrua atje.

Tani kemi një sistem në vend, d.m.th. i kemi kthyer të gjitha kushtet, po i quajmë, minimale të punës edhe tani ka mbetur ajo finalja, vendosja e stafit doganor kosovar në ato dy pika. Në ato dy pika, edhe kur kanë qenë, faktikisht, doganierët kosovarë duke punuar aty, nuk janë përdorur për zhdoganime, ato kanë qenë pika hyrëse.

Përderisa gjithmonë zhdoganimet janë kryer në terminalin doganor në Mitrovicë, gjë që vazhdon edhe sot. Derisa në dy pika është përdorur një procedurë, që ne quajmë procedurë e shkurtuar për rastet kur banorët e atyre zonave, për shkak të largësisë së madhe nga kufiri deri në terminal, iu është lejuar të zhdoganojnë sasi të vogla të mallit.

Në shumicën e rasteve, malli ka pasur përfundimin final terminalin në Mitrovicë. Tani edhe ajo është duke ndodhur. D.m.th. edhe pas vendosjes së stafit të EULEX-it, pjesa dërmuese e mallrave, të cilat lajmërohen në kufi, evidentohen në këto dy pika, vazhdon të vijë në terminalin doganor, por është një pjesë që nuk lajmërohet.

Ne tani po marrim evidencat se kush janë ato kompani, kemi shënimet se kush janë kompanitë, numrat e maunave, llojin e dërgesave, llojin e mallit edhe në bazë të atyre jemi duke e përgatitur ndjekjen penale ndaj tyre.

Kur themi jemi duke e përgatitur, ne veç e kemi bërë ndjekjen penale, mirëpo në vazhdimësi çdo mospërputhje neve na jep një shans që të plotësohet me një ndjekje plotësuese.

Unë kam shpresa shumë të forta se do të rregullohet ajo situatë, me vetë faktin që tani, në një masë të madhe, kemi arritur ta godasim atë që quhej krim i organizuar ndërkufitar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Huruglica, kontrabandimi në përgjithësi është një problem, të cilin edhe ju e keni përmendur si të vazhdueshëm në të gjitha pikat kufitare. Cilat janë vështirësitë më të mëdha për ju në këtë drejtim?

NAIM HURUGLICA
Në realitet, ne tani kemi shumë më pak ikje direkte, sidomos kur flasim nëpër pikat tjera kufitare. Shmangia e taksave që neve na ndodh në praktikë, ndodh më tepër përmes mosdeklarimit të saktë të vlerave ose të origjinës, e kam fjalën mauna me mall futet në kufi, mirëpo dokumentacioni që është përcjellës tenton të prezantojë një vlerë më të vogël se vlera reale.

E gjithë kjo është bërë për arsye se ata kanë qenë në dijeni se ne nuk kemi marrëveshje me shtetet eksportuese për të bërë një verifikim të tillë. Tani ne jemi në negociata me 18 shtete, partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës, që me doganat e atyre shteteve të nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim, përmes të cilave ne do t’i shkëmbejmë të dhënat.

Edhe qysh tash, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, edhe pse nuk kemi marrëveshje me një numër të këtyre shteteve, ato pa hezitim na përgjigjen me rastin e kërkesës që ne e dërgojmë për verifikim të të dhënave.

Kjo, vetvetiu, ka arritur rezultate të dukshme në luftimin e kontrabandës. Elementi i dytë jo pak i rëndësishëm është vetëdijesimi i biznesit kosovar.

Ne gjithnjë e më tepër po e perfeksionojmë punën tonë, po e përsosim punën tonë dhe kemi pajisje më të mira edhe në resursin njerëzor edhe material. Edhe në këtë aspekt ne kemi arritur që të bëjmë një punë më të mirë edhe të luftojmë kontrabandën.

Tani, kontrabanda, nëse mund të them me përjashtim të veriut, është e paraqitur kryesisht në rrugët malore, rrugë të cilat ne i quajmë ‘kufiri i gjelbër’; kemi zonën e Pejës me Malin e Zi, një terren jashtëzakonisht i vështirë malor, ku kontrabandistët përdorin kuajt dhe gomarët për të transportuar mall.

D.m.th. jo rrugëve legale, por rrugëve ilegale, ose zonën e lindjes të Gjilanit, e cila është një zonë e njohur ku është bërë kontrabandimi i kafshëve, ta zëmë fshatrat shqiptare me banorë shqiptarë në anën serbe, d.m.th. një bashkëpunim mes vete.

Është shumë e vështirë që të kontrollohet çdo cep i atij territori, se në total Kosova ka një vijë të gjelbër kufitare mbi 700 km.
XS
SM
MD
LG