Ndërlidhjet

Hapat e ardhshëm në GJND


Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës presin që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë të japë mendim pozitiv lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë


Zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se procesi i ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në GJND, do të jetë në favor të Kosovës.

Zëvendësministrja për Punë të Jashtme, Vlora Çitaku, tha se gjykata do të vendosë në bazë të argumenteve, që, sipas saj, janë në anën e Kosovës.

Ne presim që gjykata të marrë një vendim bazuar mbi argumentet e prezantuara, dhe ne fuqishëm besojmë se e drejta është në anën tonë. Ne, gjithashtu, besojmë në ligjshmërinë e kauzës sonë dhe, gjithsesi, besojmë në një mendim këshillëdhënës pozitiv”, thotë zonjusha Çitaku.

Zëvendësministrja Çitaku pohon se Kosova ka paraqitur edhe kërkesën për të prezantuar argumente në mënyrë gojore.

“Ne kemi prezantuar kërkesën për përfaqësim edhe në seancat gojore, e drejtë kjo, e cila na është ofruar me një vendim paraprak të gjykatës, ku palëve u ofrohet kjo mundësi për prezantim në seanca gojore”.


“Po ashtu, do të ketë edhe shtete të tjera që do të prezantojnë, jo të njërës palë ose tjetrës, por në favor të mbrojtjes së qëndrimeve të tyre”,
thekson ajo.

Mendimi këshillëdhënës i GJND-së, nuk mund të jetë në favor të Serbisë, vlerëson profesori i së drejtës ndërkombëtare, Zejnullah Gruda.

“Mendimi nuk mund të jetë kurrsesi në favor të Serbisë, veç nëse duan të shkelin në mënyrë brutale të Drejtën Ndërkombëtare. Ne nuk kemi kurrfarë arsyeje të frikësohemi”.

“Mendimi duhet të jetë në favor të Kosovës, ose më së paku, që s’ka për të thënë as diçka në favor të Kosovës, po në favor të Serbisë edhe më pak, për shkak se të thuash çkado qoftë në favor të Serbisë, domethënë ta injorosh të Drejtën Ndërkombëtare deri në fund”, thotë Gruda.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka përmbyllur afatin e dorëzimit të kërkesave për pjesëmarrje në seancat dëgjimore në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Seancat dëgjimore për rastin e Kosovës, pritet të fillojnë nga 1 dhjetori. Profesori Gruda shpjegon procedurat e mëtutjeshme të çështjes.

“Tash duhet të fillojë procedura me gojë. Procedura me gojë nënkupton dëgjimin e përfaqësuesve të shteteve. Dëgjon mendimet edhe, eventualisht, edhe të ndonjë personi, ose grupi të ekspertëve, për çështje të caktuar”.

“Natyrisht, vlerësimi është çështje e mendimit të lirë të gjyqtarëve, natyrisht, duke u bazuar në argumente, në fakte, të cilat i kanë depozituar edhe njëra palë, edhe tjetra palë. Edhe ajo që është thënë në procedurat me gojë, përveç atyre dokumenteve të shkruara, të cilat veç me përpara i janë dorëzuar gjykatës”,
pohon Gruda.

Ndonëse është cilësuar si pavarësi në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare nga ana e Serbisë, Rusisë, Brazilit, Sllovakisë dhe Rumanisë, thuhet se ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës do ta mbrojnë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, veç Kosovës, edhe SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca e vende të tjera.

Përderisa në Ministrinë e Punëve të Jashtme thonë se i gjithë procesi mund të përmbyllet deri në prill të vitit 2010, eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Zejnullah Gruda, thotë se kjo varet nga zhvillimet dhe interesimet e gjyqtarëve në atë gjykatë, për rastin.

“Kjo varet eventualisht edhe nga ngarkesa e gjykatës. Varet edhe nga ajo a janë të interesuar ata ta përmbyllin më shpejt, eventualisht, apo duan ta lënë pak kohë të kalojë. Por, unë jam shumë optimist”, u shpreh ai.

Sidoqoftë, mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është thënë se do të jetë këshillues dhe, si i tillë, është vlerësuar se nuk do të ketë efekte juridike për statusin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG