Ndërlidhjet

Barro: S'ka asnjë dialog me Kosovën për vizat


Komisionari Evropian për Drejtësi Zhak Barro ka deklaruar në Strasburg se Maqedonia i ka plotësuar të gjitha kushtet, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi kanë bërë “përparime domethënëse” në reformat për heqjen e vizave nga ana e Bashkimit Evropian nga janari i 2010-tës.

Ndërsa për Kosovën ai ka thënë se deri më tani nuk ka asnjë lloj dialogu.

“Për Serbinë mbetet që të sigurojë vërtetësinë e dokumenteve për personat që jetojnë në Kosovë, apo të personave nga Kosova që jetojnë jashtë vendit, kur kërkohet që atyre t’u jepen pasaporta biometrike”, ka thënë Barro në Parlamentin Evropian.

Ai ka thënë se, që nga viti 1999, qeveria e Serbisë nuk mund të kontrollojë personat që jetojnë në Kosovë.

“Komisioni Evropian nuk mund të marrë përgjegjësi për rrezikun e sigurisë që kjo kategori njerëzish paraqet për komunitetin(BE), si dhe për faktin se asnjë lloj dialogu për liberalizim vizash nuk është nisur me Kosovën”, ka thënë Barro.

Barro ka thënë se kushti i dytë për Serbinë është kontrollimi i kufijve me Kosovën në bashkëpunim me EULEX-in si dhe hartimi i strategjisë kombëtare për migrim.
XS
SM
MD
LG