Ndërlidhjet

Kriza globale (s')ka prekur tregun e punës


Kriza globale financiare ka ndikuar edhe në tregun e punës. Si pasojë e reflektimit të krizës, një numër punëtorësh i kanë humbur vendet e tyre të punës. Kështu thonë përfaqësues të organizatave që merren e pozitën e punëtorëve.

Kriza globale në mënyrë të tërthortë ka prekur edhe tregun e punës në Kosovë. Për shkak të krizës që, tashmë, edhe zyrtarisht ka prekur vendin tonë, është rritur dukshëm numri i punëkërkuesve.

Kështu pohojnë përfaqësues të sindikatave të punëtorëve. Sipas tyre, nga kriza është prekur edhe sektori privat, që në Kosovë përbën numrin më të madh të të punësuarave.

Ali Dragusha, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, shprehet se në mungesë të infrastrukturës ligjore është vështirë të hulumtohet ky sektor, por, sipas tij, tashmë ka elemente që shumë persona i kanë humbur vendet e tyre të punës.

“Edhe të prekur nga kjo krizë sektori privat, atëherë kontingjenti më i madh i punëtorëve, që përkohësisht janë të inkuadruar në sektorin privat, numri i të cilëve është shumë i madh, rrezikojnë të mbesin pa vende të punës”.

“Kështu që, është vetëm një periodë kohore afatshkurtër e atyre që kanë marrëdhënie pune stabile dhe atyre punëdhënësve që kanë një ekonomi më stabile”.

“Por, megjithatë, edhe ata janë të detyruar ta zvogëlojnë dhe ta reduktojnë në masë numrin e të punësuarve”,
thotë Dragusha.

Arsye tjetër e humbjeve të vendeve të punës, sipas Dragushës, është edhe zvogëlimi i investimeve të huaja dhe problemet në procesin e privatizimit, fusha këto që, sipas tij, drejtpërdrejt janë ndikuar nga kriza globale financiare.

“Kriza globale e ka prekur edhe këtë proces, sepse investitorët kanë bërë tjera llogari para kësaj krize, në mënyrë që të investojnë në Kosovë dhe të hapin vende të reja të punës. Dhe, tash, kjo krizë i ka prekur dhe kjo reflektohet edhe te hapja e vendeve të punës, edhe te forma e investimeve”, pohon Dragusha.

Ndryshe, zyrtarë qeveritarë duke mos e përjashtuar mundësinë që kriza financiare ndërkombëtare ka prekur edhe tregun e punës, sipas tyre, në mungesë të ligjit të punës, ende mungojnë shifra zyrtare.

Hafiz Leka, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pohon se në zyrat e regjistrimit nuk vërehet ndonjë rritje e numrit të punëkërkuesve.

Por, megjithatë, ai dyshon se gjatë kësaj periudhe në Kosovë ka pasur humbje të vendeve të punës, por jo të gjithë ata, që kanë humbur vendet e punës, regjistrohen në zyrat e punësimit.

“Edhe pse kjo çështje nuk është e rregulluar te ne, p.sh punëtorin që largohet nga puna nuk e paraqet punëdhënësi, apo vetë i punësuari që ka qenë më herët aty, nuk paraqitet në zyrat e punësimit për ta evidentuar, faktikisht, largimin prej pune”.

“Kjo nuk është e rregulluar me ligj. Ligji i nxitjes së punësimit dhe Ligji i punës ende nuk janë në funksion te ne”,
shpjegon Leka.

Megjithatë, Leka thotë se Kosova nuk është vend i paprekur nga ndikimet e krizës financiare ndërkombëtare.

“Nga dimensioni i tregut të punës nuk është bërë ndonjë studim përcjellës faktik apo analitik i ndikimit të krizës globale financiare në Kosovë, mirëpo sidoqoftë, Kosova nuk është oazë ose vend i paprekur nga ndikimet negative”,
thekson Leka.

Ndryshe, edhe në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, sa i përket ndikimit të mundshëm të krizës në tregun e punës, thuhet se në Kosovë ende nuk ka ndonjë vlerësim të saktë si pasojë e mungesës së të dhënave adekuate mbi këtë sektor.

Në raport, gjithashtu, thuhet se pavarësisht ngadalësimit të aktivitetit ekonomik në vend, si pasojë e reflektimit global, në të dhënat zyrtare nuk vërehet ndonjë rritje e punëkërkuesve të regjistruar.

Ndërkaq, sipas shifrave zyrtare, 43 për qind e popullatës janë të papunë, kurse të dhënat e disa organizatave joqeveritare tregojnë se në Kosovë, shkalla e papunësisë arrin afër 60 për qind.
XS
SM
MD
LG