Ndërlidhjet

Nis punën Gjykata Kushtetuese e Kosovës


Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës thonë se kanë nisur punën dhe shqyrtimin e lëndëve në këtë institucion. Sipas tyre, deri më tash në gjykatë kanë arritur 39 lëndë që presin zgjidhje.

Ndonëse muaj më parë ishte kompletuar zgjedhja e nëntë gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe ishte paraparë që shqyrtimi i lëndëve të nisë menjëherë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Megjithatë, përfaqësues të këtij institucioni, tashmë thonë se ka nisur puna dhe shqyrtimi i lëndëve të paraqitura në këtë gjykatë.

Gjyqtarja Iliriana Islami pohon se deri më tash është bërë shpërndarja e lëndëve dhe, siç shpjegon ajo, puna ka nisur.

Shqyrtimin e lëndëve, ne si gjyqtarë, e kemi filluar menjëherë. Secili gjyqtar, meqenëse kërkohet transparencë, e kemi krijuar sistemin brenda gjykatës, siç është e përcaktuar me Ligjin kushtetues dhe aty parashihet mënyra se si duhet të ndahen lëndët”.

“Kështu që kemi filluar menjëherë praktikën të tillë dhe i kemi ndarë lëndët. I kemi ndarë edhe kolegjet shqyrtuese. Kështu që secili gjyqtar punon në lëndë, krahas shqyrtimit në kolegje”,
thotë zonja Islami.

Zonja Islami pohon se Gjykata Kushtetuese ka para vetes një numër të konsiderueshëm të lëndëve, të cilat po shqyrtohen. Siç është shprehur ajo, numri i lëndëve të paraqitura në gjykatë, është 39.

Zonja Islami nuk ka saktësuar se kur do të dilet me rastet e para të shqyrtimit të lëndëve, por, thotë ajo, shpejtësia e shqyrtimit të lëndëve është parim i gjykatës.

“Nuk mundem të them një datë të saktë. Por, gjithmonë ne punojmë si gjykatë që konsiderohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Kështu që, efikasitetin e kemi si parim kryesor në mes të gjyqtarëve dhe do të punojmë sipas këtij parimi”, thotë zonja Islami.

Nga ana tjetër, ekspertët juridikë thonë se vonesa e deritashme e fillimit të funksionalizimit të Gjykatës Kushtetuese ka qenë e panevojshme.

Eksperti i çështjeve juridike, Riza Smaka, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, konsideron se kjo gjykatë është dashur të nisë punën menjëherë pas emërimit të gjykatësve.

“Kurrsesi nuk do ta kisha justifikuar gjykatën si institucion, që të mos t’ia fillojnë punës. Do të duhej menjëherë siç e kanë dhënë betimin që të fillojnë punën”.

“Është dashur që ato raste të trajtohen. Aq më parë kur ato raste janë të thjeshta, nuk janë fare të ndërlikuara. Ato mund të vlerësohen drejt, e në mënyrë adekuate e adapte, e mos të bëhen zvarritje të paarsyeshme”,
thekson Smaka.

Megjithatë, zoti Smaka vlerëson se Gjykata Kushtetues e Kosovës, si instanca më e lartë juridike në vend, që në fillim duhet të jetë efektive.

“Nëse do të punonin ashtu siç do të duhej të punonin dhe aq sa mund të punonin, kjo gjykatë mund t’i trajtojë me efektivitet rastet e ngritura. Kushtet i kanë të volitshme edhe, natyrisht, së paku do të duhej të ishte e tillë”, thotë Samaka.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë bërë të ditur se deri më tash në gjykatë nuk ka arritur ndonjë padi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që kishte paralajmëruar padi ndaj presidentit Sejdiu, për shkak të, siç është thënë, shtyrjes së zgjedhjeve.

Ndërsa, sekretari i AAK-së, Burim Ramadani, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, se padia tashmë është e gatshme.

Por, arsye e mosdërgimit të saj në gjykatë, sipas Ramadanit, është mungesa e informacioneve për funksionalizimin e këtij institucioni.
XS
SM
MD
LG