Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria mbështet komunat e reja, opozita e përmbajtur


Vendimi për formimin e komunave të reja me shumicë serbe menjëherë pas zgjedhjeve lokale, nga opozita në Prishtinë shihet si vendim i motivuar nga politika ditore. Ndërkaq, Qeveria konsideron se me këtë vendim është bërë një hap para në përmbushjen e obligimeve nga Pakoja e Ahtisarit.

Qeveria dhe opozita shprehin vlerësime të ndryshme në lidhje me vendimin për formimin e shpejtë të komunave të reja menjëherë pas zgjedhjeve, si dhe në lidhje me shtyrjen e zgjedhjeve lokale për gjashtë muaj për pjesën veriore të Mitrovicës dhe Parteshin.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se vendimi i shefit të ICO-së, Piter Feith, dhe Qeverisë ishte i ligjshëm dhe plotësisht në harmoni me Pakon e Ahtisarit.

Me këtë vendim, Krasniqi thotë se në Mitrovicë dhe Partesh nuk po shtyhen zgjedhjet, por se atje, deri në përgatitjet e nevojshme për formimin e komunave të reja, do të votohet për komunat ekzistuese.

“Në gjithë territorin e Kosovës do të organizohen zgjedhjet, ndërsa është vendosur të krijohen tri komuna të reja, sipas Plani të Ahtisarit dhe në pajtim me ligjet e miratuara në Kuvend dhe me Kushtetutën e Kosovës”.

“Kjo nuk do të thotë se në këto dy lokacione, ku në të ardhmen parashihet krijimi i komunave të reja, ashtu siç kanë votuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk do të mbahen zgjedhje. Ajo çfarë bëhet fjalë është se zgjedhjet do të mbahen sipas territorit të vjetër të komunave ekzistuese”,
thotë Krasniqi.

Në anën tjetër, deputetë të opozitës e vlerësojnë vendimin si shkelje ligjore dhe më shumë të ndikuar nga politika ditore.

Lulëzim Zeneli, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, thotë se është bërë, tashmë, praktikë e punës së institucioneve që Kushtetuta dhe ligjet të mos respektohen.

Kjo tregon moskonsistencën e politikës së Qeverisë në raport me vetë politikat qeveritare, në raport me prioritetet nacionale, shtetërore të Kosovës, në raport me respektimin e Kushtetutës dhe në raport me respektimin e ligjshmërisë”.

“Ajo që po na përcjell në vazhdimësi është joserioziteti i institucioneve të vendit në raport me mosrespektimin e ligjeve në vend”,
thekson Zeneli.
Ndërkohë, Ardian Gjini, shef i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se vendimi i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar dhe Qeverisë, ishte marrë aq shpejt, saqë partitë opozitare nuk kanë as informacione se si do të rrjedhin punët tash e tutje në ato komuna të reja dhe në komunat që synohet të formohen.

Ky është një vendim, i cili unë, personalisht, nuk e di se si është marrë. Të njëjtën kohë nuk duhet t’i përziejmë çështjet në këtë fazë dhe të marrim vendime, të cilat do t’i kushtonin shumë Kosovës në të ardhmen”, shprehet Gjini.

Me vendimin për komunat e reja me shumicë serbe, Qeveria e Kosovës konsideron se është bërë një hap përpara edhe në raport me përfshirjen e komunitetit serb në zgjedhjet lokale.

Zëdhënësi Krasniqi vlerëson se ky vendim, tashmë, po jep shenja inkurajuese te serbët që të marrin pjesë.

“Besoj se është fakt për t’u përshëndetur që janë 21 subjekte politike të serbëve të Kosovës që, tashmë, kanë aplikuar për të garuar në zgjedhjet e 15 nëntorit dhe, padyshim, se në zgjedhjet e ardhshme do të ketë një numër shumë më të madh të daljes në zgjedhje të komunitetit serb, sesa që ka pasur në zgjedhjet e fundit të vitit 2007”, thekson Krasniqi.

Vendimet e fundit për kufijtë e rinj komunalë, mbështeten në Pakon e Ahtisarit, e cila u garanton serbëve 6+1 komuna të reja me shumicën e banorëve të këtij komuniteti.

Kurse, marrja e vendimit në këtë fazë, shihet edhe si një ofertë për serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë dhe të heqin dorë nga zgjedhjet dhe strukturat paralele që organizohen nga Serbia.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG