Ndërlidhjet

Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë pret që zgjedhja e përfaqësuesve të tri komunave të reja me shumicë serbe, në Kosovë, të shkojë paralelisht me formimin e tyre. Sipas përfaqësuesve të këtij institucioni, certifikimi i subjekteve politike nga KQZ-ja dhe inkurajimi i serbëve për të dalë në zgjedhje, do të jenë determinues për procesin në tërësi.

Pas njoftimit të ICO-së se tri komunat e reja, Graçanica, Kllokoti e Ranilluga dhe zgjerimi i komunës së Novobërdës do të bëhen pas zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit në Kosovës, përfaqësues të këtij mekanizmi thonë se zgjedhjet lokale do të mbahen edhe në komunat e paformuara.

Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Endi Mekgafi, thotë se strukturat komunale për tri komunat e reja që do të dalin nga zgjedhjet e nëntorit, do t’iu bashkëngjiten grupeve përgatitore komunale për të vazhduar procesin e kompletimit të komunave.

“Janë dy procese që bashkohen. Përgatitjet për komunat e reja në aspektin administrativ, tashmë, kanë filluar - me këtë po merren grupet përgatitore komunale”.

“Kjo do të vazhdojë deri në ditën e zgjedhjeve dhe çkado që mbetet, do të bëhet pas ditës së zgjedhjeve, por do të ketë përfaqësues të zgjedhur më 16 nëntor”,
shprehet Mekgafi.

Interesimi i serbëve kosovarë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 15 nëntorit, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë i madh , duke marrë parasysh faktin që deri më tash, në këtë institucion për certifikim, kanë kandiduar rreth 21 subjekte politike serbe.

Mekgafi thotë se janë dy faktorë të rëndësishëm në drejtim të krijimit të komunave të reja me përfaqësues legjitimë të zgjedhur.

Janë ndoshta dy faktorë këtu; i pari ka të bëjë me certifikimin e subjekteve politike, që i takon tërësisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si organ i pavarur; i dyti, u takon njerëzve me ndikim brenda komuniteteve, si kandidatëve apo liderëve, por edhe Bashkësisë Ndërkombëtare të luajnë një rol në inkurajimin e njerëzve për të votuar”, thotë ai.

Sipas Pakos së Ahtisarit, Kosova pritet të ketë 38 komuna, ndërkaq tashmë është bërë e ditur se zgjedhjet lokale nuk do të zhvillohen në komunën e re të Parteshit dhe atë të Mitrovicës Veriore.

Procesi zgjedhor në Graçanicë, Ranillugë dhe Kllokot, sipas përfaqësuesve të Komisionit Qendror Zgjedhor do të bëhet sikurse në komunat e tjera.

Zëdhënësi i KQZ-së, Fehmi Ajvazi, mendon se problemi i vetëm mund të jetë ai i kufijve administrativë të komunave, të cilat ende nuk i ka caktuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Në mbledhjen e djeshme, Komisioni Qendror Zgjedhor miratoi edhe zyrtarët e komisioneve komunale zgjedhore, siç ishin të paraparë edhe për komunën e Graçanicës, të Kllokotit dhe të Ranillugës dhe, në ndërkohë, procesi do të rrjedhë”.

“Çështja e kufijve administrativë do të jetë çështje e pushtetit lokal, mirëpo qendrat e votimit do të bëhen ndërkohë dhe zgjedhjet do të mbahen sipas planeve edhe në këto komuna”,
theksoi Ajvazi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që në ditët e ardhme të bëjë certifikimin e subjekteve politike, të cilat do të garojnë në zgjedhjet lokale të nëntorit.

Tashmë ka edhe përfaqësues të serbëve në Kosovë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të konkurruar për postin e kryetarit në komunat e reja me shumicë serbe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG