Ndërlidhjet

logo-print
EXPRESS
Megjithëse afati i fundit për pjesëmarrje në rastin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është mbyllur të martën, zyrtarisht nuk është njoftuar se sa shtete dëshirojnë të marrin pjesë në seancat dëgjuese lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që do të mbahen në Pallatin e Paqes në Hagë, duke filluar nga 1 dhjetori. Sidoqoftë, tashmë dihet që përveç Kosovës dhe Serbisë, në seancë do të marrin pjesë edhe pesë shtetet e përhershme të Këshillit të Sigurimit: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina. Tri të parat janë pozicionuar në favor të Kosovës, ndërkaq dy shtetet tjera do të mbrojnë qëndrimin serb. Sipas burimeve jozyrtare, deri më 15 shtator kërkesën për të folur në seancën dëgjuese për Kosovën e kanë parashtruar rreth 30 shtete, shumica e të cilave e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë dhe këtë do ta mbrojnë edhe në Gjykatë...

ZËRI
“Ju e dini që Maqedonia duke njohur pavarësinë e Kosovës, prishi marrëdhëniet me Serbinë. Me marrjen e postit prej meje, shfrytëzuam rastin për të rivendosur marrëdhëniet me Serbinë dhe ia arritëm qëllimit Keqkuptimet dhe mosmarrëveshjet me Kosovën i tejkaluam me vizitën e Sejdiut në Maqedoni. Me atë u takuam dy herë, një herë në Vlorë dhe një herë në Ohër, me ç’rast kemi pasur një bisedë të hapur dhe të sinqertë për të gjitha temat. Problemi i vetëm për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike varet nga pala kosovare, për shkak se çdo gjë që ka të bëjë me kufirin, nga ana jonë është kryer. Mbetet që tani komisioni kosovar të gjejë zgjidhje për vendosjen e gurëve kufitarë në gjatësinë prej 1.200 metrash që ta dërgojmë ambasadorin tonë në Prishtinë”, thotë presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov...

BOTA SOT
Shqipëria do të mbështesë fuqishëm njohjen ndërkombëtare të Kosovës, anëtarësimin e saj në institucionet dhe organizmat ndërkombëtare, integrimin sa më të shpejtë në rrjedhat integruese Euro-Atalantike dhe praninë e sa si vend anëtar i organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në sesionin e 64-të vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së kryeministri Berisha bashkë me liderët e Kosovës, presidentin Fatmir Sejdiu dhe ministrin e Jashtëm Skënder Hyseni do të nxisin aktivitete lobuese të diplomacisë së Republikës së Shqipërisë, në favor të Republikës së Kosovës. Misioni i përhershëm i Shqipërisë, në Kombet e Bashkuara dhe ai i shteteve të Quintit, me SHBA-të në krye në përgjithësi kanë ndihmuar në organizimin e takimeve...

EPOKA E RE
Në debatin e mbajtur në Institutin Amerikan të Paqes, ish-shefi i UNMIK-ut, Soren Jesen Petersen, ka thënë se në Kosovë tani është një rrëmujë e madhe, sepse nuk dihet kush për asgjë. Në pyetjet e parashtruara, të cilat i kishte formuluar Daniel Server, nënpresident i Qendrës për paqe pas konfliktit dhe presioneve të stabilitetit, janë përgjigjur Engjëllushë Morina, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Kosovare për Stabilitet nga Prishtina dhe Soren Jesen Petersen, aktualisht drejtor i organizatës joqeveritare në Uashington “Diplomati i pavarur” dhe ish-shef i UNMIK-ut në Kosovë. E përbashkëta në paraqitjet e tyre është Kosova në aspektin gjeografik është në Evropë, por se perspektivat e integrimit të saj në Bashkimin Evropian në këto momente janë të komplikuara...

KOHA DITORE
“Në Protokollin për bashkëpunim midis Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe EULEX-it, Qeveria e serbe e ka pranuar ekzistencën e kufirit midis Serbisë dhe Kosovës. Kufiri është atributi kryesor i shtetësisë dhe kjo marrëveshje konfirmon bashkëpunimin tejkufitar të Serbisë dhe Kosovës. Çdo shtet që nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim tejkufitar, pranon formalisht se përtej linjës së saj kufitare ekziston territori i shtetit tjetër”, ka deklaruar për “Danas” Vojisllav Koshtunica, president i Partisë Demokratike të Serbisë. Ai është pyetur se si mund të interpretohet sipas mendimit të tij, nisur nga këndvështrimi ligjor, shprehja e definuar në mënyrë joprecize “kufiri”, në Marrëveshjen për bashkëpunim midis MPB-së serbe dhe EULEX-it, pas shpalljes së pavarësisë nga Kosova. Koshtunica ka thënë se “kjo marrëveshje paraqet goditje të rëndë për shtetin e Serbisë dhe akt indirekt të pranimit të kufirit të shtetit të pavarur të Kosovës...

LAJM

Drejtuesit e administratës së UNMIK-ut të enjten kanë kërkuar që të merret leje prej tyre për vazhdimin e punëve për ndërtimin e një shkolle fillore në fshatin Suhadoll të Mitrovicës, edhe pse ky lokalitet nuk është në kompetencë të kësaj administrate. Përfaqësuesi i fshatit Suhadoll, Shefki Imeri, tha se administrata e UNMIK-ut ka reaguar jashtë kompetencave. “Inspektori i administratës së UNMIK-ut, Milkoviq Slavisha, u ka thënë përfaqësuesve të fshatit se duhet ta kompletojnë dokumentacionin për ndërtim dhe duhet të bisedojnë me ndonjë përfaqësues të kësaj administrate në veri”. Imeri tha se hapësira, në të cilën po ndërtohet shkolla i takon Komunës legjitime të Mitrovicës, nuk ka të bëjë asgjë me administratën e UNMIK-ut në veri. Sipas tij, këtë ë konfirmon edhe Plani i Ahtisarit...

INFOPRESS
Qeveria e Kosovës, mospjesëmarrjen e Kosovës në takimin për sukcesionimin e ish-RSFJ-së e ka vlerësuar më tepër si problem politik. Ekspertë të ekonomisë thonë se në të ardhmen duhet të mbahet një konferencë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ndarjen e pasurisë së ish-RSFJ-së. Përderisa Kosova është ngarkuar me borxhet e ish-Jugosllavisë, ajo megjithatë, momentalisht, është përjashtuar nga ndarja e pasurisë që posedon kjo ish-federatë. Kështu, të enjten në Beograd ka filluar takimi dyditësh i përfaqësuesve të lartë për sukcesion të ish-RSFJ-së, në të cilin takim do të bisedohet për çështjet e trashëgimisë. Në këtë takim të përfaqësuesve të lartë marrin pjesë përfaqësues të Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë, BeH-së dhe Maqedonisë, kurse Kosova është harruar nga ky takim...

KOSOVA SOT
Përfshirja e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian duket se është larg. Retorika politike se Kosova shpejt do të jetë pjesë e procesit të vendeve të Ballkanit për lehtësim vizash, nuk ka një bazë reale. Aktualisht, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova janë lënë anash liberalizimit të vizave për këtë vit. Por, derisa Shqipëria ka shumë gjasa që brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm të përfshihet në këtë proces, për Kosovën nuk duket askund një dritë në fund të tunelit. Komisionari Evropian për Drejtësi, Zhak Barrot, përjashtoi mundësinë që të ketë pasur ndonjëherë dialog për liberalizimin e vizave me Kosovën dhe kjo tregon qartazi se shteti i ri njëherë është lënë anash nga Bashkimi Evropian. Përpara institucioneve kosovare janë nja varg detyrash që duhet të përmbushen, pa të cilat nuk ka lehtësim vizash për kosovarët...
XS
SM
MD
LG