Ndërlidhjet

Enciklopedia maqedonase, fyese për shqiptarët


Ndërtesa e qeverisë maqedone

Ndërtesa e qeverisë maqedone

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë fyen shqiptarët dhe shtrembëron historinë e tyre, vlerësojnë shoqatat shqiptare përmbajtjen e Enciklopedisë së re maqedonase.


“Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria veriore. Ata, kanë kolonizuar viset në Maqedoni në shekullin XVI, duke i dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre”.

“Vërshimin e tyre drejt Maqedonisë e ka mundësuar Ali Pashë Tepelena. Shteti i parë shqiptar është formuar nga Gjermania fashiste, e cila kufijtë e këtij shteti i zgjeroi në rajonet e Maqedonisë perëndimore. Shqiptarët, veç tjerash, njihen edhe si njerëz malorë...”.

Këto janë vetëm disa pjesë të shkëputura për shqiptarët nga Enciklopedia e re maqedonase, e botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë, e që ka shkaktuar reagime të ashpra në mesin e qarqeve të ndryshme shqiptare në Maqedoni.

Akademikët maqedonas, në promovimin e kësaj enciklopedie, nuk kanë dhënë detaje, përveç faktit se ajo përfshin edhe të kaluarën e bashkësive etnike në Maqedoni, që nga historia e hershme e deri në ditët e sotme dhe se për këtë kanë qenë të angazhuar edhe historianë shqiptarë.

Një nga emrat e redaktorëve të botimit, është edhe ai i historianit, Shukri Rahimi, për të cilin nga Akademia thonë se ka punuar në pjesën e historisë shqiptare.

Mirëpo, zoti Rahimi distancohet, jo vetëm nga pjesa që është shkruar për historinë shqiptare, por nga e tërë përmbajtja e Enciklopedisë së Maqedonisë.

Ai thotë se që në fillim kishte refuzuar të jetë pjesë e grupit punues dhe se për vendosjen e emrit të tij aspak nuk është konsultuar.

“Unë kam qenë i propozuar për anëtar të komisionit në pjesën që ka të bëjë për historinë shqiptare, kurse një koleg maqedonas për historinë maqedonase, por unë këtë e kam refuzuar, pra nuk desha të jem redaktor, pasi me atë kolegun maqedonas edhe më parë, gjatë programeve shkollore që kemi bërë, kurrë nuk jemi pajtuar”.

“Ata, gjithkund, në këtë mënyrë janë përpjekur të shpjegojnë historinë, prandaj edhe me kohë e kam refuzuar dhe nuk kam dashur që emri im të jetë aty”,
deklaroi Shukri Rahimi.

Akademia e Shkenca dhe e Arteve e Maqedonisë në radhët e saj ka edhe tre akademikë shqiptarë.

Njëri nga ta, akademik Alajdin Abazi thotë se anëtarët shqiptarë me kohë janë distancuar nga projekti i Enciklopedisë, pasi që në fillim ishin injoruar kërkesat e tyre për një përfshirje reale të historisë së popullit shqiptar.

“Që në atë kohë kemi paraparë se do të dalë një Enciklopedi, që do të shtrembërojë shumë çështje, shtrembërimi më i madh qëndron në atë se, sipas saj, shqiptarët se janë vendosur këtu si ardhacakë në shekullin XVI”.

“Pra, edhe një herë e them se ne, si anëtarë shqiptarë të Akademisë, distancohemi nga kjo Enciklopedi”,
theksoi akademik Aljadin Abazi.

Nga Shoqata e historianëve shqiptarë të Maqedonisë thonë se Enciklopedia maqedonase nuk ka asgjë të përbashkët me shkencën pasi mesazhi kryesor i saj është urrejtja dhe nxitja e ndarjes mes bashkësive entike.

Shoqata e historianëve shqiptarë kërkon nga akademikët shqiptarë të distancohen nga, siç thuhet, politika famëkeqe e akademikëve maqedonas.

“Nuk kemi të bëjmë asgjë me shkencën, por është kryekëput politike dhe jep mesazhe ndarjeje. Shoqata e historianëve shqiptarë kërkon nga akademikët shqiptarë të kësaj akademie famëkeqe, që të distancohet nga kjo politikë dhe enciklopedi fashizoide dhe të kushtëzojnë pjesëmarrjen në këtë akademi me tërheqjen e enciklopedisë nga përdorimi dhe t’i kërkohet falje publike popullit shqiptar ”, u shpreh Skënder Asani.

Gjithashtu, ka reaguar edhe Lëvizja qytetare “Zgjohu”. Akademikët maqedonas duhet t’i japin fund politikës së satanizimit të shqiptarëve dhe përvetësimit të historisë së tyre, thotë kryetari i saj Artan Grubi.

Konsiderojnë se ky institucion, i cili ka më tepër agjendë politike sesa shkencore, duhet njëherë e përgjithmonë të ndalojë me satanizimin e shqiptarëve dhe me përvetësimin e historisë së tyre”.

“Gjithashtu, ftojmë anëtarët e Akademisë që janë me përkatësi etnike shqiptare që të ngrenë zërin kundër kësaj enciklopedie, të distancohen nga përmbajtja e saj, të reagojnë dhe të na prijnë në protestat për largimin e kësaj enciklopedie nga tregu”,
deklaroi Artan Grubi, nga Lëvizja qytetare “Zgjohu”.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë ende mbahet mend me propozimin e saj të vitit 2001 për shkëmbimin e territoreve dhe popullatës mes Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Ky propozim ishte mbështetur edhe nga kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë, Lubco Georgievski, por ishte kundërshtuar nga partitë shqiptare, opozita e atëhershme maqedonase, LSDM dhe faktori ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG