Ndërlidhjet

Por, para se Kosova të marrë vendin që i takon në strukturat euro-atlantike, ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, rikujtoi se duhet përmbushur disa objektiva themelore.

Pas realizimit të ëndrrës së pavarësisë, Kosova do të realizojë edhe ëndrrën e të qenët shtet anëtar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Këto komente, ambasadori Dell i ka bërë gjatë një ligjërate të mbajtur në një konferencë të Klubit Atlantik, ku ishin të pranishëm kryetari i këtij Klubi për Kosovën, Agim Çeku, ai i Klubit Atlantik të Bullgarisë, Solomon Pasi, si dhe personalitete të jetës politike e shoqërore nga Kosova.

Ambasadori Dell rikujtoi me këtë rast fjalët e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, gjatë viteve të 90-ta, se Kosova do të jetë shtet i pavarur e sovran.

Këto deklarata të Rugovës, tha ambasadori amerikan, në qarqe të shumta diplomatike shiheshin edhe si deklarata provokuese, të pamundshme të realizohen, apo dhe si ëndrra.

Por, ja që ëndrra e shtetit të Kosovës u bë realitet, tha Dell, duke inkurajuar kosovarët që tash të vazhdojnë përmbushjen e ëndrrave tjera drejt integrimit në BE dhe në NATO.

“Republika e Kosovës si shtet demokratik, prosperues e shumë-etnik, ku drejtësia do të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët e saj, do të marrë vendin e vet në Evropë si edhe do të jetë anëtare me të drejta të barabarta në Aleancën Veri-atlantike”,
tha ambasadori Dell.

Ai tha se ishte i gatshëm të vinte bast me ata që mendojnë edhe tash se ky është një mision i pamundur, apo është një ëndërr që nuk realizohet.

Mirëpo, para se Kosova të marrë vendin që i takon në strukturat euro-atlantike, ambasadori Dell ua rikujtoi institucioneve të saj se duhet t’i përmbushin objektivat themelore.

Ndërtimi i institucioneve shtetërore dhe shoqërore, përfshirë këtu edhe mediat, pastaj integrimi i komuniteteve dhe mbrojtja e tyre, zhvillimi ekonomik, sundimi i rendit dhe ligjit, sipas zotit Dell, duhet t’i paraprijnë objektivit të pestë, atij të integrimit në familjen evropiane dhe strukturat e NATO-s.

Ndërkaq, Solomon Pasi, ish-ministër i Jashtëm i Bullgarisë, tha se Kosova ka shanse më të mira për integrim sesa fqinji i saj, Maqedonia.

Ai mori shembull rastin e Maqedonisë dhe Greqisë, duke vlerësuar se Athina ka përparësi të mëdha, sepse është anëtare në të gjitha organizatat botërore dhe i pamundëson në shumë raste Maqedonisë që të anëtarësohet.

Kurse, Kosova dhe Serbia, tha ai, mund të garojnë paralelisht për integrime dhe kështu Beogradit t’i pamundësohet ta pengojë Prishtinën në këto qëllime.

Ndërkaq, Agim Çeku tha se me ngritjen e kapaciteteve fillestare të FSK-së, Kosova tashmë po i bën hapat e parë drejt përfshirjes së saj në Partneritetin për Paqe dhe, më pas, në NATO.

FSK-ja është në dispozicion të institucioneve tona, në dispozicion të qytetarëve tanë, por është edhe në dispozicion të aleatëve, apo të NATO-s për pjesëmarrje në operacione të ndryshme paqeruajtëse”.

“Që nga tash, ne edhe duke e udhëhequr këtë proces mund të deklarojmë se jemi të gatshëm të jemi edhe kontribuues të sigurisë dhe jo vetëm konsumues të sigurisë”,
tha Çeku.

Gjatë debatit, të pranishmit ishin të interesuar më shumë t’i dinë pikëpamjet e ambasadorit Dell në lidhje me FSK-në dhe mundësinë që kjo Forcë të shndërrohet në Armatë.

“Tash për tash, siç e dini, ju jeni pajtuar dhe keni marrë për obligim që të krijoni një Forcë Sigurie. Si çdo fëmijë, ju duhet së pari të mësoheni të ecni, para se të vraponi. Andaj, përqendrohuni në krijimin e një FSK-je efektive dhe lëreni çështjen e Armatës për më vonë”, theksoi ambasadori Dell.

Ai vlerësoi, po ashtu, se Kosova duhet të ndërtojë një shtet demokratik, me gjendje sigurie të qetë e stabile dhe me një ambient të përshtatshëm e të sigurt për investime e zhvillim ekonomik, para se të përfshihet në strukturat euro-atlantike.

Sidoqoftë, si ambasadori Dell, ashtu edhe diplomati bullgar Pasi, shprehën bindjet e tyre se Kosova dhe Ballkani Perëndimor mund të ofrojnë më shumë që Evropa t’i pranojë në strukturat e saj.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG