Ndërlidhjet

Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës pohojnë se janë racionalisht optimistë që për Kosovën do të ketë njohje të reja pas takimeve që do të mbahen në selinë e Kombeve të Bashkuara, me rastin e mbajtjes së debateve në Asamblenë e Përgjithshme që do të fillojë më 23 shtator.

Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka bërë të ditur në një konferencë për media, se do të ketë takime të shumta me përfaqësues të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën deri më tash.

“95 për qind të kërkesave që kemi bërë për takime, janë drejtuar te vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Pa hyrë në detaje, me kënaqësi deklaroj që ka përgjigje të kënaqshme në kërkesat që ka bërë Republika e Kosovës”.


Do të ishte krejtësisht e papritur dhe joracionale që të them se nuk presim shumë. Po unë nuk do të them që presim tej mase shumë. Jam racionalisht optimist se këto takime do të rezultojnë me veprime konkrete nga vende përkatëse në drejtim të njohjes”, tha Hyseni.

Por, ministri Hyseni nuk ka saktësuar se sa është numri i atyre përfaqësuesve të shteteve, me të cilët do të ketë takime.

Nuk e dhamë dhe nuk e kam ndërmend t’iu jap, sepse Jeremiqi do të kishte shumë dëshirë ta dinte se sa takime janë konfirmuar për delegacionin e Kosovës në Nju-Jork”, theksoi ministri Hyseni.

Nga ana tjetër, analistët politikë presin që pas përfundimit të debatit në Asamblenë e Përgjithshme, të ketë njohje të reja për Kosovën.

Analisti Halil Matoshi, konsideron se pas zhvillimeve të fundit politike, shtetet që deri më tash nuk e kanë njohur Kosovën, do ta bëjnë në gjë të tillë.

“Unë pres se ka një klimë, megjithatë, pozitive të shumë shteteve që t’i qasen realitetit dhe ta njohin Kosovën. Prandaj, unë mendoj se duke e shfrytëzuar këtë klimë, edhe me ato takime që mund të bëhen brenda një afati shumë të shkurtër atje, besoj që do të rezultojë me disa njohje të reja”.

“Unë, mendoj që kjo vjeshtë do të jetë interesante, sa i përket njohjeve; edhe vetë ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, e pranoi në një deklaratë, se klima në raport me Kosovën tek anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, po ndryshon në favor të Kosovës”,
tha Matoshi.

Matoshi thotë se vetë mundësia që Kosova merr pjesë në takimet e organizuar nga Asambleja e Përgjithshme dhe me afrimin e datës kur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë do të diskutohet për vlefshmërinë e pavarësisë së Kosovës, do të ketë interesim të shteteve për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

“Në Asamblenë e Përgjithshme do të jetë një nxitje për ato shtete që ende hezitojnë, që në prag të një vendimi të GJND-së, për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, duket se ka interesim që Kosova, megjithatë, të marrë më shumë njohje dhe unë jam optimist në këtë aspekt”,
u shpreh Matoshti.

Megjithatë, Matoshi ka kritikuar Institucionet e Kosovës sa i takon punës së tyre për lobim.

“Po të mbetej puna vetëm te lidershipi i Kosovës dhe Ministria e Jashtme e saj, sigurisht që këta edhe meritojnë një ton kritike për arsye se shumë pak po e bëjnë të njohur Kosovë”.

“Edhe sa i përket lobimit, Kosova e ka fatin që atje, kryesisht, këto punë i bëjnë aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”,
tha ai.

Ndryshe, MPJ-ja disa herë është kritikuar nga opozita kosovare duke thëne se kjo ministri vazhdon të jetë e ngadaltë në veprimet e saj për lobim dhe, siç janë shprehur ata, Ministria e Punëve të Jashtme është ende në një krizë të brendshme.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG