Ndërlidhjet

Qasja Obama në mbrojtjen raketore

  • Brian Whitmore

Ronald Regani synonte ta vendoste mbrojtjen raketore në hapësirë, gjatë Luftës së Yjeve. Xhorxh Bushi planifikoi ta vendoste mbrojtjen raketore në tokë, kurse Barak Obama kërkon që ta vendosë kryesisht në det.

Në vend të planit të administratës Bush që parashihte vendosjen e një pjese të mbrojtjes raketore në Çeki e Poloni, plani Obama parasheh një qasje me disa faza. Së pari do të vendosen dhjetëra interceptorë më të vegjël, të tipit SM-3 në anije.

Rusia, një kundërshtare e ashpër e planit Bush, mirëpriti vendimin e administratës Obama. Putini e cilësoi planin e ri amerikan si “korrekt dhe kurajoz”.

Shtëpia e Bardhë këmbëngul se ndryshimi i planeve në mbrojtjen raketore nuk ishte rezultat i kundërshtimit rus, por i vlerësimeve më të reja të informacioneve nga agjencitë e zbulimit.

Këto të fundit kanë arritur në përfundimin se Irani ka shënuar përparim në raketat me rreze të shkurtër dhe të mesme, derisa ka mbetur pas në raketat me rreze të gjatë veprimi.

Mbështetësit e qasjes së Obamës thonë se bëhet fjalë për një plan më të mirë për t’u përballur me kërcënimin aktual iranian.

Stiven Pifer, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, i specializuar në çështjet e armatimit, e vlerëson pozitivisht këtë vendim.

“Për mua administrata Obama ka marrë një vendim të mençur. Ajo ka riorientuar programin e mbrojtjes raketore, në mënyrë që të përballet më mirë me kërcënimin aktual që paraqesin raketat e Iranit, në vend që të shpenzonte miliarda dollarë për t’u përballur me një kërcënim që mund të dilte në rrugë e sipër pas disa vjetësh”, thotë Pifer për Radion Evropa e Lirë.

Çështja e mbrojtjes raketore është, njëherësh, një çështje shumë politike. Konservatorët amerikanë e kritikuan vendimin e Obamës.

Senatori Xhon Mekein tha se ndryshimet nuk do të marrin shumë parasysh aleatët në Evropën Lindore, në kohën kur “vendet e Evropës Lindore shqetësohen për ringjalljen e aventurizmit rus”.

Për shumë zyrtarë në Çeki e Poloni, të cilët janë të shqetësuar për ringritjen ruse, sistemi i mbrojtjes raketore ishte një lloj sigurie për angazhimin amerikan në rajon.

Pakënaqësinë e vije re dhe në titujt e gazetave. E përditshmja çeke “Lidove Noviny” shkruante: “Obama iu dorëzua Kremlinit. Nuk do të ketë radar në Republikën Çeke”.

Ndërsa, shumë të tjerë nënvizuan faktin se ndryshimi i planit u bë në përvjetorin e 70-të të pushtimit të Polonisë nga Bashkimi Sovjetik.

Megjithatë, kryeministri polak në publik u tregua kurajoz, ashtu si dhe kryeministri çek, i cili nënvizoi faktin se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë shumë të mira.

Pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të presidentit Obama, ka pasur shumë zëra që thoshin se ai do ta përdorte mburojën raketore për të përfituar mbështetjen ruse rreth programeve bërthamore të Iranit.

Analistët thonë se kjo nuk duket e mundur, duke pasur parasysh qëndrimin rus, të përsëritur edhe këto ditë, se janë kundër sanksioneve shtesë ndaj Iranit.

“Plani i ri duhet të sjellë përfitime, si në marrjen e mbështetjes evropiane, ashtu dhe në adresimin e atyre që më parë ishin kundërshtimet ruse”.

“Por, duket se administrata ka marrë vendimin duke u mbështetur në çështjet e teknologjisë, më shumë, se sa nga ndonjë ujdi me rusët”,
thotë Xhejms Goldgajer, ekspert i politikës së jashtme amerikane.

Analistë të tjerë pohojnë se fakti që plani u mirëprit nga Rusia, nuk do të thotë se administrata aktuale amerikane po dorëzohet para rusëve.

Mund të themi lehtësisht se hapi është mirëpritur nga rusët. Por pyetja shtrohet a tregon kjo se plani i mbrojtjes raketore nuk është optimal?”.

“A duhet të bëjmë budallallëqe vetëm për t’i nervozuar rusët?!”,
thotë eksperti Pifer.

Ai shton se plani i ri do të zbatohet në bashkëpunim me NATO-n, çfarë do t’i ndihmojë marrëdhëniet trans-atlantike.
XS
SM
MD
LG