Ndërlidhjet

logo-print

Ndonëse shumica e partive politike në Kosovë thonë se më shumë rëndësi u kushtojnë programeve që do t’u ofrojnë qytetarëve, sesa lidershipit, realiteti deri më tash e ka treguar të kundërtën. Kështu pohojnë disa nga përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Programet e partive politike për zgjedhjet e 15 nëntorit, sipas përfaqësuesve nga shoqëria civile, duhet të jenë reale dhe jo vetëm premtuese.

Shpend Ahmeti nga Instituti “Gap”, mendon se partitë politike në zgjedhjet e 15 nëntorit duhet të jenë shumë konkrete me programet e tyre.

Mendoj se oferta sivjet duhet të jetë shumë më konkrete dhe të zgjedhë dy apo tri prioritete, të cilat i preokupojnë qytetarët në secilën komunë”.

“Është koha që politikanët në komuna të mos merren aq shumë me problemet nacionale, por të merren me të vërtetë me problemet lokale në secilën komunë”,
thotë Ahmeti.

Nga ana tjetër, Krenar Gashi nga Instituti KIPRED, pohon se me ligjin e ri për pushtetin lokal, i cili ka hyrë në fuqi vitin e kaluar, pushteti lokal ka më shumë kompetenca.

Sipas tij, ky ligj duhet të jetë edhe shkas që partitë politike të kenë programe të duhura për zhvillimin e komunave.

“Kuvendi komunal, gjegjësisht qeverisja komunale, merr një sërë kompetencash të reja, të cilat drejtpërdrejt kanë të bëjnë me jetën edhe mirëqenien e asaj komune”.

“Së pari, kompetenca e re është zhvillimi lokal ekonomik, i cili gjithsesi duhet të përfshihet në një program politik, që i ofrohet elektoratit. Së dyti, menaxhimi i financave të komunës. E treta mbesin, zakonisht, shërbimet komunale ajo që drejtpërdrejt e afekton qytetarin e thjeshtë të Kosovës”.

“Dhe, të gjitha këto duhet të bëhen për një program të mirë në proporcion me orientimin politik që ka partia”,
pohon Gashi.

Për zotin Ahmeti, partitë politike, pos që duhet të kenë programe të realizueshme, ato edhe duhet të jenë të ndryshme për komuna të Kosovës, pasi që, siç thotë ai, problemet nga komuna në komunë dallojnë.

“Kjo dallon prej komunës në komunë. Për shembull, në komunën e Gjilanit prioritet, veç ekonomisë, veç vendeve të punës, ka qenë gjithmonë problemi i ujërave të zeza, i cili e preokupon qytetin e Gjilanit”.

“Në qytetin e Vushtrrisë e kemi problemin e mungesës së ujit; ata kanë ujë vetëm dy orë në ditë. Këto janë ato projekte, për të cilat po flas, këto janë ato që qytetarit duhet t’i japin një zgjidhje reale; që të thotë kjo është ajo që mund të bëjmë, këto janë ato tri prioritetet në mënyrë që edhe qytetari ta ketë më të lehtë”,
thekson Ahmeti.

Përderisa në shumë vende demokratike votuesit dhe vetë partitë politike u kushtojnë një rëndësi të madhe programeve të tyre, kjo, në një farë mënyre nuk ndodh në Kosovë, thotë zoti Ahmeti, duke shtuar se gjatë këtyre zgjedhjeve mendimi i qytetarëve do të duhej të ndryshonte, sa i takon dhënies së votës.

“Shpresoj të fillojmë shkëputjen nga mënyra e votimit për parti politike. Dhe, shpresoj që kësaj here, së paku, do të mendojmë më shumë për programe edhe qytetarët të cilët do të votojnë”.

“Nuk jam shumë optimist se çka do të ofrojnë politikanët, jam më optimist nga ana se çka do të kërkojnë qytetarët”,
thotë ai.

Ndërsa, Krenar Gashi nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, lidhur me këtë çështje nuk duket se pret ndonjë ndryshim nga zgjedhjet e kaluara.

Nëse do të kemi një dalje të ulët në zgjedhje, më të ulët se sa vitin e kaluar, siç parashohin shumë analiza, atëherë nuk do të kemi ndryshim në formën e votimit fatkeqësisht”, thekson Gashi.

Analistët politikë kanë vlerësuar se që nga zgjedhjet e para të pasluftës, që janë mbajtur në Kosovë, elektorati kryesisht ka votuar në bazë të partive politike, e jo në atë se çfarë programi ofron partia.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG