Ndërlidhjet

Enciklopedia politike


Prishtinë
Prishtinë

Enciklopedia e Maqedonisë, e hartuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e këtij vendi, mbështetet në fakte të shtrembëruara historike. Këtë vlerësim japin deputetët e Kuvendit të Kosovës.



Enciklopedia e Maqedonisë, e hartuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e këtij vendi, ka shtrembëruar faktet historike për shqiptarët, në përpjekje të prezantimit të një identiteti të pavërtetë maqedonas, thonë përfaqësuesit e legjislativit të Kosovës.

Reagimeve të shumta në Kosovë ndaj enciklopedisë maqedonase, sot u janë bashkuar edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si edhe disa nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi thotë se shtrembërimi i fakteve historike vjen edhe si rrjedhojë e një identiteti jo të definuar të kombit të sotëm maqedonas.

Jakup Krasniqi
“Maqedonët ende nuk kanë arritur ta krijojnë identitetin e tyre kombëtar. Nën një, ata ende nuk e dinë se a janë maqedonë të krijuar me dekretin e Titos, nuk e dinë a janë maqedonë që thirren në paraardhësin e tyre, në Mbretin Samuel, i cili ishte mbret bullgar, e në anën tjetër ata shpeshherë pretendojnë të jenë edhe pasardhës të Aleksandrit të Maqedonisë, Lekës së Madh, që ishte me origjinë ilire”.

“Një komb që nuk e ka të identifikuar identitetin e tij kombëtar, kërkon që të mohojë identitetin e gjithë të tjerëve. Por, konsiderojmë se identiteti i shqiptarëve tanimë është i përmbyllur dhe i konsoliduar më së miri në Ballkan”,
thekson Krasniqi.

Ndërkohë, Ibrahim Gashi, deputet dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit, thotë se Akademia e Shkencave e Maqedonisë nuk ka dashur ta pranojë faktin se kombi i sotëm maqedonas është komb politik, i krijuar në ish-Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore.

Kjo enciklopedi, sipas Gashit, u ngjan shumë shkrimeve pseudo-historike të akademikëve serbë, që përpiqeshin të njollosin historinë e shqiptarëve si popull autokton në Ballkan.

Andaj, sipas tij, përmbajtja e kësaj enciklopedie nxit dyshime se është diktuar nga nevojat e politikës ditore të këtij vendi.

“Maqedonia i ka problemet aktuale lidhur me emërtimin dhe natyrisht, në këtë situatë të pavolitshme që është gjendur, institucionet e Maqedonisë, në vend që të krijojnë një pajtueshmëri me fqinjët në përgjithësi për problemet që kanë me identitetin dhe emrin e tyre, ata po krijojnë armiq të rinj”.

“Në këtë rast, thjesht janë armiqësuar me elementin shqiptar që e kanë si popull, kombi i dytë shtet-formues në vend, por edhe me shqiptarët në rajon, që janë fqinjët e tyre në Kosovë e Shqipëri”,
thotë Gashi.

Në anën tjetër, kryeparlamentari Jakup Krasniqi thotë se pavarësisht pretendimeve të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, historia dhe identiteti i shqiptarëve në Ballkan nuk mund të përvetësohen.

“Historia e popullit shqiptar më nuk mund të përvetësohet. Ajo është e popullit shqiptar, histori e lavdishme dhe mjaft e konsoliduar”.

“Ndonëse edhe shqiptarët nuk kanë arritur në tërësi konsolidimin, do të thotë nëse e kanë konsoliduar gjuhën, nëse e kanë konsoliduar kombin, nuk e kanë konsoliduar shtetin në gjithë hapësirën kombëtare, por, megjithatë, është e konsoliduar mirë”,
vlerëson Krasniqi.

Studime të shumta e kanë dëshmuar të kundërtën e asaj që në vazhdimësi është shkruar për shqiptarët nga akademikët serbë dhe tani nga ata maqedonas, thotë Ibrahim Gashi.

Ai thotë se çështja maqedonase dhe identiteti i këtij shteti fillon në shekullin 20 dhe kjo edhe mund të ketë qenë një nga arsyet pse Maqedonia e sotme kërkon një identitet më të lashtë historik se që në të vërtetë e ka.

Ibrahim Gashi
“Unë nuk kam asgjë kundër identitetit, kombit maqedon, por thjesht ata kanë problem që ta krijojnë atë vërtetësinë historike të ekzistimit të këtij entiteti”.

“Është më mirë ta thonë që kombi maqedon është një komb i ri, një komb politik, që është krijuar në Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore dhe këtu s’ka gjë të keqe, sepse historia njeh edhe kombe politike që janë krijuar më vonë dhe jo me çdo kusht të provojnë ta vërtetojnë identitetin e tyre historik, nacional, duke mohuar identitetet e të tjerëve ose duke shtrembëruar të vërtetën mbi ekzistimin e identiteteve të tjerëve”,
thotë Gashi.

Ndryshe, në enciklopedinë e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, shqiptarët paraqiten si ardhacakë në shekullin 16. Shqiptarët në Maqedoni, sipas kësaj enciklopedie, gjatë shekullit të 16-të kanë ardhur nga Shqipëria veriore, duke kolonizuar vise në Maqedoni dhe dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre.

Kjo enciklopedi ka zgjuar reagime jashtë kufijve maqedonas, në Kosovë dhe Shqipëri, pasi që konsiderohet se janë shtrembëruar faktet historike. Ndaj kësaj enciklopedie, përveç akademikëve shqiptarë të Maqedonisë, tashmë ka reaguar edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG