Ndërlidhjet

Realizimi i donacioneve deri më 2012


Mjetet e ndara për Kosovën në Konferencën e donatorëve, sipas zyrtarëve, kanë filluar të investohen në vend, investime këto që, sipas tyre, do të ndihmojnë zhvillimin e Kosovës dhe në fushën e integrimeve evropiane.

Kryeshefi i Agjencisë për Koordinime të Donacioneve, Zhvillim dhe Integrime Evropiane, Edon Cana, thekson se shumica e mjeteve që janë duke ardhur prej komunitetit të donatorëve, janë duke u investuar në sektorët që janë prioritet i Qeverisë së Kosovës.

Cana thotë se prioritetet e bazuara në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, janë: transporti, infrastruktura, energjia, arsimi dhe shëndetësia.

“Donacionet janë duke ardhur edhe gjatë krizës ekonomike globale, edhe tani kur ka kaluar kriza. Parashikimet tona ishin të sakta dhe janë të sakta në lidhje me donacionet. Ato nuk janë duke ndaluar dhe të gjitha premtimet do të realizohen deri në vitin 2012”, shprehet Cana.

Cana pohon se këto donacione, një pjesë e të cilave tanimë është investuar në sektorë rë ndryshëm në Kosovë, kanë ndihmuar në kryerjen e shumë projekteve dhe obligimeve që ka pasur Kosova.

“Prej 1.2 miliard eurosh, 200 milionë euro janë për pagimin e borxheve të jashtme që ka Kosova . 1 miliard euro janë në proces të implementimit. Mbi 100 milionë euro vetëm Komisioni Evropian i ka implementuar".

"Rasti më i mirë është që më 24 shtator do të kemi një nënshkrim të fillimit të punimeve në lidhjen elektrike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, e cila do të financohet nga ana jonë dhe kjo lidhje do të na mundësojë një furnizim më të mirë të rrymës në raport të këtyre dy shteteve”,
thekson Cana.

Përfaqësuesit e Institutit për Studime të Avancuara, GAP, si organi i vetëm nga Kosova, i cili në Konferencën e donatorëve ka pasur rolin këshillëdhënës për Qeverinë e Kosovës, kërkojnë që të formohet një organ monitorues, i cili do të merret me çështjet se sa do të jetë efikase shpërndarja e këtyre mjeteve.

Kushtrim Puka, nga ky institut, sqaron kërkesën e GAP-it për këtë çështje:

“Është ende herët të flasim për realizmin e këtyre projekteve, pasi që bëhet fjalë për projekte të mëdha. Por, Qeveria e Kosovës duhet të vendosë disa mekanizma, të cilët do të monitoronin procesin e realizimit të këtyre projekteve të Konferencës së donatorëve”, thotë ai.

Ai vlerëson se investimi i këtyre mjeteve do të ndikonte në përmirësimin e disa sektorëve, ndërsa qëllimi kryesor do të ishte hapja e vendeve të reja të punës dhe ndihma në disa çështje sociale.

Pas zgjidhjes së statusit, Konferenca e Donatorëve është vlerësuar të jetë shpresa kryesore për rritjen e numrit të të punësuarave dhe uljen e shkallës së varfërisë.

Mirëpo, ekspertët e ekonomisë tashmë sa herë kanë deklaruar se as kjo konferencë nuk do të sjellë ndonjë mrekulli në përmirësimin e standardit të qytetarëve kosovarë.
XS
SM
MD
LG