Ndërlidhjet

EULEX: Katër serbë të arrestuar për krime lufte


Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka arrestuar sot në mëngjes katër serbë të Kosovës, nën dyshimet se gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999, kanë kryer krime lufte mbi shqiptarët.



Operacionin për arrestimin e të dyshuarve për krime lufte, i cili është ndërmarrë sot rreth orës 6 të mëngjesit në rajonin e Gjilanit, në Komunën e Novobërdës, e ka udhëhequr misioni i EULEX-it në bashkëpunim me KFOR-in dhe Policinë e Kosovës.

Zëdhënësja e këtij misioni, Karin Limdal, tha se Policia e EULEX-it ka arrestuar katër serbë të Kosovës, nën dyshimin se kanë kryer krime të luftës.

Policia e EULEX-it (fotografi ilustruese)
“Policia e EULEX-it, e mbështetur nga Policia e Kosovës dhe KFOR-i, ka arrestuar 4 serbë të Kosovës, nën dyshimin se kanë kryer krime të luftës. Arrestimin e ka urdhëruar prokurori i EULEX-it, nën kompetencën e të cilit do të vazhdojnë hetimet”,
tha zëdhënësja Limdal, duke shtuar se personi i pestë është arrestuar për shkak se ka penguar policinë gjatë zbatimit të detyrës.

Në një komunikatë të EULEX-it, të lëshuar pasdite, thuhet se akuzat kanë të bëjnë me trajtim çnjerëzor, vuajtje të mëdha apo dëmtim të integritetit trupor ose të shëndetit, zbatim të masave të frikësimit dhe terrorit, si dhe arrestim dhe burgim të kundërligjshëm.

Në të njëjtën komunikatë thuhet se gjatë bastisjes së pronave të të dyshuarve u janë konfiskuar gjësende të ndryshme.

Intervistimi i të dyshuarve, sipas këtij misioni, është duke vazhduar.

Në anën tjetër, edhe Dragan Nikoliq, drejtues i strukturave paralele administrative të Serbisë në Novobërdë, ka konfirmuar arrestimin e serbëve të Komunës së Novobërdës.

“Sot në mëngjes, Policia e EULEX-it ka arrestuar Svetllana Stanojeviqin nga fshati Boston, Dobrivoje Trajkoviqin nga fshati Pllavc, Sllobodan dhe Sreqko Martinoviqin, po ashtu nga fshati Pllavc, si dhe Srgjan Filiqin nga fshati Jasenovik - të gjithë nga Komuna e Novobërdës”, deklaroi Nikoliq.

Ai tha se tash për tash nuk ka informacione se ku janë dërguar serbët e arrestuar.

Ndryshe, disa banorë serbë të Novobërdës, sipas zyrtarëve të Policisë së Kosovës, kanë protestuar kundër arrestimeve të sotme. Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, tha se protesta ka kaluar pa ndonjë incident.

“Disa qytetarë, në shenjë pakënaqësie lidhur me arrestimet që janë bërë nga Policia e EULEX-it, kanë protestuar në fshatin Boston, pranë kishës së këtij fshati. Gjithçka ka kaluar në rregull dhe nuk ka pasur asnjë ekses”, sqaroi zëdhënësi i policisë, Ismet Hashani.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG