Ndërlidhjet

Përpjekjet për menaxhim të kufijve



“Menaxhimi i kufijve ende mbetet sfidë për institucionet e Kosovës, por zotimet tona janë se Qeveria do të bëjë progres në menaxhimin e kufijve”.

Këtë zotim e dha sot ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, në takim me Bordin Ekzekutiv të Menaxhimit të Integruar të Kufirit.

Ministri Pajaziti pohoi se drejtuesit e Policisë Kufitare dhe komponentët e tjerë, në përputhje me strategjinë dhe planin e veprimit, do t’i kryejnë detyrat në pajtim me mandatin që kanë.

“Menaxhimi i kufirit ende mbetet një sfidë për ne. Ky proces është sfidues edhe për faktin se kemi para nesh mekanizma të tjerë monitorues dhe po ashtu i kemi zotimet tona si Qeveri se do të bëjmë progres në menaxhimin e kufirit”.

“Vazhdojmë të kemi mbështetje nga Bashkësia Evropiane rreth menaxhimit të integruar të kufirit përmes një projekti të binjakëzimit, që është në implementim dhe po ashtu kemi premtime se do të mbështetemi vazhdimisht. Kjo varet edhe nga ne, se sa ne pastaj do të jemi të gatshëm që të përkushtohemi në procesin e menaxhimit të integruar të kufirit”,
tha Pajaziti.

Ndërkaq, Behar Selimi, udhëheqës i Bordit për Menaxhim të Integruar të Kufirit, shprehu bindjen se menaxhimi i kufijve nuk paraqet një sfidë të madhe.

Sipas tij, menaxhimi duhet të bëhet bashkërisht nga Policia Kufitare, Doganat e Kosovës si dhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.

“Kufiri deri më tash është menaxhuar edhe në Ballkanin perëndimor nga agjencitë e veçanta, ndërsa tash duhet të menaxhohet bashkërisht, të bashkohen edhe burimet njerëzore, edhe ato materiale të të gjitha agjencive”.

Pika kufitare Jarinë
“Kjo është një vështirësi apo sfidë e karakterit teknik. Ndërsa, sa i përket nivelit të sigurisë, ne kemi vështirësi për arsye se forcat e KFOR-it ofrojnë siguri në kuptimin klasik të fjalës. Kurse, vija e gjelbër mund të keqpërdoret nga kontrabanduesit e mallrave të llojeve të ndryshme”,
u shpreh Selimi.

Në takimin e sotëm të Bordit Ekzekutiv të Menaxhimit të Integruar të Kufirit është publikuar edhe një raport për punën e bordit rreth zbatueshmërisë së strategjisë për menaxhimin e integruar të kufirit, ku thuhet se për periudhën kohore qershor-shtator, 90% e punës së paraparë është realizuar.

Zoti Selimi, nga Bordi i Menaxhimit të Kufijve, po ashtu bëri të ditur se gjatë takimit të sotëm janë marrë tre vendime.

“Vendimi i parë është që të funksionalizohet sa më parë qendra e përbashkët operative, e pajisur me kamera në Doganat e Kosovës, e cila do të shfrytëzohet edhe nga Policia e Kosovës, edhe nga përfaqësuesit e shërbimeve fito-sanitare dhe veterinare”.

“Të krijohet një qendër e komunikimit të vazhdueshëm 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Dhe, më e rëndësishmja është që tash e tutje do të marrim operacione të përbashkëta për parandalimin e kontrabandës gjithandej kufirit të Kosovës”,
tha Selimi.

Ai shtoi se strategjia është duke u realizuar në partneritet me faktorët ndërkombëtarë, sidomos me Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe EULEX-in.

Ndërkohë, përfaqësues të EULEX-it, nga komponenti i Policisë Kufitare, kanë dhënë një propozim në raport për kërkesat minimale për Policinë e Kufirit të Gjelbër lidhur me personelin dhe pajisjet.

Ky propozim bazohet në përvojën e Monitoruesve të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it.
XS
SM
MD
LG