Ndërlidhjet

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, gjatë vizitës së parë që i bëri Kosovës, i premtoi kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, mbështetje në diskutimet me pesë vendet e mbetura të Bashkimit Evropian që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kërkuar mbështetjen dhe ndihmën e Parlamentit Evropian për përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe inkurajimin e pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Këto kërkesa, Krasniqi i bëri gjatë një takimi që zhvilloi sot me një delegacion eurodeputetësh, që kryesohej nga Ulrike Lunacek, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Me këtë rast, Lunacek, eurodeputete e të gjelbërve nga Austria, tha se pas zgjedhjeve të mbajtura, Parlamenti Evropian është në konsolidim e sipër, por, sipas saj, shumica e deputetëve të këtij parlamenti e mbështet përfshirjen e të gjitha vendeve të Evropës në liberalizimin e vizave.

Ndërkaq, lidhur me njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, Lunacek tha se mundësitë e Parlamentit në këtë rast janë të kufizuara.
...të shohim se cilët janë anëtarët e këtyre vendeve në nivel të eurodeputetëve dhe të diskutojmë me ta për mundësinë e njohjes.

“Sa i përket mbështetjes së Parlamentit Evropian për bindjen e pesë vendeve anëtare që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ajo që ne jemi pajtuar mes kolegëve dhe me presidentin është që të shohim se cilët janë anëtarët e këtyre vendeve në nivel të eurodeputetëve dhe të diskutojmë me ta për mundësinë e njohjes. Kjo është mundësia që kemi në këtë moment në nivel të Parlamentit Evropian”, tha Lunacek.

Kurse, në lidhje me liberalizimin e vizave dhe përfshirjen e Kosovës, Lunacek tha se ky është një proces teknik, por në rastin e Kosovës merr nuanca politike pikërisht për shkak të mosnjohjes së saj nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

“Te rasti i Kosovës kemi problem, pasi që jo të gjitha vendet anëtare të BE-së e kanë njohur atë, por edhe po ta njihnin të gjitha vendet, Kosova do të duhet t’i përmbushë të gjitha kriteret teknike dhe mendoj se këtu ka një rrugë që duhet kaluar para se të përfshihesh në këtë proces”, deklaroi Lunacek.

Andaj, ky proces për Kosovën mund të marrë më shumë kohë, sesa tek vendet tjera, tha eurodeputetja austriake.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se gjatë takimit kishte kërkuar ndihmën e euro-deputetëve që të ndikojnë tek vendet e mbetura të BE-së që ta njohin Kosovën, duke besuar se njohja e saj nga të gjitha vendet e BE-së do ta ndihmojë zhvillimin dhe integrimin e Kosovës.

Jakup Krasniqi
“Parlamenti i Bashkimit Evropian të na ndihmojë që të vëmë kontakte si përfaqësues të qytetarëve të Kosovës me vende që hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që t’i sqarojmë dhe njoftojmë ato vende me të gjitha zhvillimet që po bëhen në Kosovë dhe se pengesa që ata po i bëjnë njohjes së Kosovës, pengon zhvillimin e demokracisë, por pengon edhe integrimin e të gjithë qytetareve të Kosovës në jetën institucionale, publike e shoqërore”.

“Dhe, gjithsesi kërkuam që çështja e liberalizimit të vizave të jetë edhe për Kosovën dhe qytetarët e saj”,
tha Krasniqi.

Pas takimit, Ulrike Lunacek i premtoi Jakup Krasniqit bashkëpunim ndërmjet Parlamentit Evropian dhe atij të Kosovës. Eurodeputetja austriake, në cilësinë e raportueses për Kosovën, ka pasuar eurodeputetin Jos Logendijk dhe kjo ishte vizita e saj e parë në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG