Ndërlidhjet

Trusti kthen afër 50 milionë euro



Trusti i Kursimeve Pensionale ka pasur kthim pozitiv të mjeteve, kthime këto që, sipas zyrtarëve, kanë rezultuar në rritje prej 8,92 për qind të çmimit të aksionit të Trustit, deri në fund të muajit gusht, duke ngritur kështu çmimin e njësisë në 0,94 euro.

Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Trustit, Besim Beqaj, gjatë një konference për media, theksoi se në gjashtë muajt e fundit ka pasur zhvillime pozitive dhe kthim më të lartë të investimeve për muaj, prejse investohet fondi i kursimeve pensionale.

“Me rëndësi është që afër 50 milionë euro janë përfitime, të cilat i kemi nga momenti i rënies maksimale që ne kemi pasur në treg. Por, nëse nisemi nga ajo që kanë qenë 100 milionë euro, atëherë sigurisht që pjesa tjetër, diku mbi 50 milionë, edhe më tutje është rënia e vlerës”.

“Të kemi parasysh se menaxherët, të cilët janë të përzgjedhur, kanë performuar mirë. Ju kujtohet që vlera për njësi ka qenë nën 80 centë, pra diku rreth 79 centë, që do të thotë se tani kemi një rikuperim të ndjeshëm”,
tha Beqaj.

Lidhur me investimet e mjeteve të Trustit në tregjet financiare, si vendore, ashtu edhe ndërkombëtare, Beqaj theksoi se bordi ka vendosur të mos plasojë mjete shtesë në asnjë menaxhues mjetesh që operon në tregjet globale.

Ai pohoi se prioritet i bordit mbetet siguria e mjeteve financiare, të cilat i kanë në menaxhim dhe jo përfitimi.

“Jemi në proces të vlerësimit të cilësisë së garancioneve, të cilat bankat ia ofrojnë Trustit. Dëshirojmë që për çdo mjet të investuar në tregun, qoftë vendor apo ndërkombëtar, të kemi garancione maksimale”.

“Ne, ndërkohë, do të jemi të gatshëm të bëjmë takime tjera dhe të shohim se a kemi stabilitet të mjaftueshëm të tregjeve financiare ndërkombëtare, e më pastaj të marrim ndonjë vendim të ri”,
tha Beqaj.

Megjithatë, ekspertë për çështje ekonomike mbesin ithtarë të asaj që mjetet e Trustit të Kursimeve Pensionale të investohen në Kosovë.

Eksperti për çështje ekonomike nga Instituti Riinvest, Alban Zogaj, u shpreh:

“Në qoftë se ato fonde do të shpërndaheshin nëpër bankat tona, pastaj prej bankave në formë të kredive për biznese, në atë formë do ta ulnin normën e interesit në treg dhe do ta stimulonin zhvillimin ekonomik të Kosovës”.

Ndërkaq, sa u përket kthimeve pozitive të Trustit të Kursimeve Pensionale, Zogaj tha se në një periudhë afatgjate këto mjete nuk do të kenë ndonjë rrezik të madh të humbjes, porse pritet që mjetet e investuara në tregjet ndërkombëtare të kenë kthim pozitiv.

“Trusti ka filluar t’i kthejë investimet e veta. Po shihet që edhe në bursat botërore ka ngritje të çmimeve të aksioneve dhe si rezultat edhe kthim të investimeve në Trust. Nga humbja e Trustit që ka pasur në vitin 2008 dhe në një pjesë të 2009-ës kanë humbur vetëm ata persona, të cilët kanë tërhequr kursimet e tyre”, deklaroi Zogaj.

Ndryshe, pensionistët e vitit 2008 ishin të parët ata që i hetuan humbjet e vlerës së aksioneve të kursimeve të tyre, të investuara në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Mesatarisht 80 euro më pak i ka marrë çdo pensionist, i cili gjatë vitit të kaluar i ka tërhequr mjetet e tij të kursyera në Trust. Mirëpo, këto mjete më pas ishin rikuperuar nga Bordi i Trustit.
XS
SM
MD
LG