Ndërlidhjet

logo-print

Shkup: Enciklopedia do të korrigjohet


Pamje në Shkup

Pamje në Shkup

Pas reagimeve të shumta të opinionit publik, Akademia e Shkencave dhe Arteve maqedonase ka marrë vendim t'i korrigjojë pjesët kontetsuese të enciklopedisë maqedonase, në të cilat, sipas ekspertëve, shoqërisë civile dhe partive politike shqiptare, ofendohen rëndë shqiptarët, përkatësisht qenia e tyre kombëtare dhe autoktonia.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve maqedonase, Gjorgje Stardellov, dhe redaksia e enciklopedisë kanë vendosur që ky institucion të mos e tërheqë tërësisht enciklopedinë, por të bëjë korrigjime të caktuara, të cilat do t’i bëjnë vetë autorët e botimit të parë.

“Bëhët fjalë për një ofendim të caktuar ndaj bashkësisë etnike shqiptare në Maqedoni dhe besoj se kjo njësi do të korrigjohet. Besoj se njësitë kontestuese nuk do të hiqen tërësisht nga enciklopedia, por do të korrigjohen ose eliminohen disa të dhëna të panevojshme që aq shumë, ndoshta me të drejtë, i rrënqethin qytetarët tanë shqiptarë”, deklaroi kryetari i akademisë, Gjorgje Stardellov.

Por, anëtari shqiptar i akademisë, Alajdin Abazi, vlerësoi se duhet shkruar një edicion tërësisht i ri i enciklopedisë.

“Mendoj se duhet të tërhiqet ky edicion, të distancohet akademia, njerëzit, që sipas shtypit, një numër i konsiderueshëm i tyre janë distancuar, të shkruhet një edicion që do të ndihmojë akademinë”, u shpreh Abazi.

Ndërkohë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk beson që enciklopedia do të jetë mollë sherri në raportet brenda koalicionit qeveritar.

"Nuk mendoj se siatuata tani do të vijë deri tek ato përmasa, ku butonat e raketave do të preken nga partenerët e koalicionit. Unë thashë dhe mbetem në atë se shpersoj që çështja e enciklopedisë të mos ketë ndikime dhe prapavijë politike", deklaroi Ahmeti.

Nga ana tjetër, partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, ka shprehur keqardhje për efektet negative që shkaktoi një pjesë e përmbajtjes së enciklopedisë që përgatiti Akademia e Shkencave të Maqedonisë, thuhet në një komunikatë për mediat.

VMRO DPMNE vlerëson se të gjitha çështjet e hapura të karakterit shkencor duhet zgjidhur përmes debateve shkencore, ku do të shprehen argumentet e pozitat e ndryshme dhe do të jenë jashtë ndikimit të politikës.

Edhe ambasadori britanik në Shkup, Endru Ki, i kërkoi Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë korrigjimin e të dhënave se gjoja pjesëtarë të UÇK-së janë trajnuar nga oficerë britanikë.

“Britania ishte përmendur në një pjesë dhe dëshiroj të potencoj se informacionet në atë pjesë janë të pasakta rreth trajnimit të UÇK-së nga shërbimet e mbrojtjes britanike. Nuk kishte aspak trajnim nga forcat e mbrojtjes së Britanisë, ajo është e qartë dhe apeloj deri te akademia që ta korrigjojë atë”.

“Me rëndësi për një libër të tillë është që të gjitha faktet të vërtetohen dhe të jenë të sakta dhe të gjitha sqarimet dhe tezat të jenë të përgjithshme dhe të mos jenë tendencioze”,
theksoi ambasadori britanik, Endru Ki.

Ndërsa, ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere, nënvizoi se institucionet duhet ta zgjidhin këtë çështje në kuadër të një bashkëpunimi multietnik, duke organizuar dialog mes etniteteve të ndryshme dhe historianëve.

“Çdo dokument apo enciklopedi që publikohet, duhet të reflektojë karakterin multietnik dhe diversitetin historik të vendit me një ndjeshmëri të veçantë. Do të inkurajoja dialog mes bashkësive të ndryshme etnike dhe historianëve, me qëllim që ta adresojnë këtë çështje”, tha ambasadori Fuere.
XS
SM
MD
LG