Ndërlidhjet

Obama: Erë e re bashkëpunimi


Presidenti Barak Obama gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Presidenti Barak Obama gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Ata që kritikonin Amerikën se vepronte e vetme në botë, tani nuk mund të rrinë anash e të presin që Amerika t’i zgjidhë të gjitha problemet e botës e vetme. Ne kemi premtuar e nisur me fjalë dhe veprime një periudhë të re të angazhimit me botën. Tani është koha që të gjithë ne të marrim pjesën tonë të përgjegjësive për një përgjigje globale ndaj sfidave globale”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

---
Mbi 120 udhëheqës shtetesh morën pjesë në hapjen e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Prej ditësh, vëmendja ishte përqendruar tek fjalimi i presidentit amerikan, Barak Obama, çfarë shënoi dhe paraqitjen e parë të Obamës në Kombet e Bashkuara.

Fjalimi i Obamës dallonte shumë në ton nga fjalimet e paraardhësit të tij, Xhorxh Bush. Obama tha se e mori detyrën si president në kohën kur ka pasur një mosbesim të konsiderueshëm ndaj Shteteve të Bashkuara.

“Një pjesë e këtij kundërshtimi lidhej me politika të caktuara dhe mendimin se në disa çështje kyçe Amerika kishte vepruar njëanshëm, pa marrë parasysh interesat e të tjerëve”, tha Obama.

Më pas ai nuk ngurroi të numëronte listën e hapave të marrë nga administrata që drejton gjatë 9 muajve të fundit, e që dëshmojnë qasjen shumëpalëshe të tij.

Në mesin e çështjeve ku Shtetet e Bashkuara ishin përfshirë, sipas presidentit Obama, ishin bashkërendimi për një përgjigje ndërkombëtare ndaj krizës globale ekonomike, hyrja në Këshillin për të Drejtat e Njeriut dhe kalimi nga vëzhgues në liderë në çështjet e ndryshimeve klimatike.

“Ata që kritikonin Amerikën se vepronte e vetme në botë, tani nuk mund të rrinë anash e të presin që Amerika t’i zgjidhë të gjitha problemet e botës e vetme. Ne kemi premtuar e nisur me fjalë dhe veprime një periudhë të re të angazhimit me botën. Tani është koha që të gjithë ne të marrim pjesën tonë të përgjegjësive për një përgjigje globale ndaj sfidave globale”,
tha presidenti amerikan.

Në mesin e sfidave Obama përmendi armët bërthamore dhe përpjekjen për një botë pa armë të tilla. Ai shtoi se në këtë kuptim Irani dhe Koreja e Veriut, me programet e veta bërthamore, rrezikojnë ta çojnë botën në një drejtim të rrezikshëm.

Presidenti amerikan u ndal në faktin se vendet duhet të punojnë së bashku, duke parë se çfarë na bashkon e jo çfarë na ndan.

“Ne kemi ardhur në një moment themelor. Shtetet e Bashkuara janë gati për një kapitull të ri në bashkëpunimin ndërkombëtar, bashkëpunim që njeh të drejtat dhe përgjegjësitë e çdo vendi. Me besim në kauzën tonë dhe me angazhimin ndaj vlerave tona, ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve të na bashkohen për të ndërtuar një të ardhme që popujt tanë e meritojnë”, tha presidenti amerikan.

Kombet e Bashkuara kanë marrë një rëndësi të re në politikën e jashtme amerikane. Ester Brimer, ndihmësnënsekretare e shtetit për bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare, për Radion Evropa e Lirë sqaroi se cilat janë prioritetet e politikës së jashtme amerikane që mund të zgjidhen më mirë përmes OKB-së.

“Ka disa çështje ku Kombet e Bashkuara kanë rëndësi kyçe. Ndryshimet klimatike janë një prej tyre. Luftimi i urisë dhe problemeve të sigurisë së ushqimit në nivel global është një çështje tjetër”, sqaroi Brimer.

Ajo shtoi se ka dallim në qasjen amerikane ndaj organizatës botërore krahasuar me administratën Bush.

Megjithatë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ndonëse është një ngjarje e rëndësishme politike, ka dhe një anë tjetër, më pak serioze.

Pjesëmarrja e udhëheqësit libian, Mohamer Gadafi, është shoqëruar me incidente. Gadafi kudo ku shkon ngre tendën e tij nomade, çfarë ka ngjallur pakënaqësinë e banorëve të Bedfordit, zonës së Nju Jorkut ku po ngrihet aktualisht tenda.

Një tjetër pjesëmarrës, presidenti aktual çek, Vasllav Klaus, e cilësoi takimin mbi ndryshimet klimatike si “propagandë” dhe “të trishtueshëm”.

E një tjetër anë e rëndësishme e Asamblesë së Përgjithshme janë dhe takimet që bëhen në margjinat e saj, takime që sjellin jo rrallë më shumë rezultate se vetë Asambleja.

XS
SM
MD
LG