Ndërlidhjet

Sejdiu falënderon Obamën


Presidenti Fatmir Sejdiu
Presidenti Fatmir Sejdiu
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka zhvilluar të mërkurën një takim të shkurtër me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, në një pritje të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, njofton Zyra për Informim e Presidencës.



Në një komunikatë për media thuhet se presidenti Sejdiu e ka falënderuar presidentin Obama për mbështetjen e deritashme që SHBA-të i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës, si dhe ka shprehur besimin se marrëdhëniet e veçanta mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve do të forcohen edhe më tutje.

Njoftohet se presidenti Sejdiu është takuar edhe me Xhejms Xhonsin, këshilltar i presidentit Obama për siguri kombëtare, si dhe me përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit, ndër të cilët edhe ndihmës-sekretarin e shtetit për Evropë, Filip Gordon.

Në komunikatën për media thuhet se gjatë kësaj pritjeje presidenti Sejdiu “pati biseda të frytshme edhe me shumë burrështetas të tjerë, ndër të cilët edhe me kryeministrin e Spanjës, presidentin e Qipros, kryeministrin e Nepalit, kryeministrin e Grenadës, zëvendëskryeministrin e Xhamajkës, ministrin e Jashtëm të Portugalisë, kryeministrin e Malit të Zi, presidentin e Maqedonisë dhe kryeministrin e Turqisë”.
XS
SM
MD
LG