Ndërlidhjet

Fillon ofertimi për autostradën


Punimet në autostradën Durrës-Morinë.
Punimet në autostradën Durrës-Morinë.
Këshilli ndërministror për ndërtimin e autostradës Morinë – Merdare bëri të ditur se fillimi i punimeve është paraparë të bëhet 30 ditë pas nënshkrimit të kontratës me kompaninë e përzgjedhur, ndërsa kohëzgjatja dhe përfundimi i punimeve do të jenë në periudhën kohore prej 36 muajsh.

Ministri i Transportit dhe Post - Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, tha se oferta, e cila publikohet sot, përfundimisht pas 30 ditëve, do ta nxjerrë fituesin për ndërtimin e autostradës.

“Shtatë kompanive, të cilat janë parakualifikuar, do t’iu dërgohet ftesa që brenda 30 ditëve t’i prezantojnë ofertat e tyre dhe nga ai prezantim, kjo është faza finale, do të nxirret fituesi, i cili do të fillojë ekzekutimin e punimeve”, tha Limaj.

Kompanitë pretendente për ta fituar tenderin e autostradës Morinë - Merdare janë: kompania “Alpine” nga Austria, konzorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka”, “Makyol” nga Turqia, “Pizzaroti” nga Italia, “Porr” nga Austria, “Strabag” po ashtu nga Austria dhe “Terna” nga Greqia.

Kompania, e cila do të jetë fituese e tenderit për ndërtimin e autostradës, sipas ministrit të Transportit dhe Post - Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, duhet të respektojë afatin e paraparë për përfundimin e punimeve të autostradës si dhe kriteret e përcaktuara.

Fatmir Limaj

"Dosja e ofertës është e përgatitur me standardet më të larta evropiane të Unionit Evropian dhe të Bankës Botërore. Në këtë dosje që e kemi përgatitur kemi kërkuar nga kompanitë përmbushjen e kritereve më të larta të mundshme, teknike por edhe financiare”.



“Kriteret do të jenë 50 për qind kritere financiare, domethënë çmimi më i favorshëm, dhe 50 për qind kriter teknik. Në mesin e këtij kriteri 50 për qind, 50 përqindëshin e këtij 50 përqindëshi do të ketë poena kompania, e cila vjen me ofertë financiare, ka siguri financiare të saj, apo siguron para”,
sqaroi ministri Limaj.

Kriteret financiare të përcaktuara për ndërtimin e autostradës Morinë – Merdare janë cilësuar si pozitive nga Ministria e Transportit dhe Post – Telekomunikacionit si dhe nga ana e ekspertëve të ekonomisë.

Bedri Selmanaj, ekspert i çështjeve ekonomike, e vlerësoi pozitivisht kriterin financiar, që të fitojë ajo kompani që ka siguri financiare të saj, apo siguron para.

“Ministria e Transportit dhe Post - Telekomunikacionit tanimë ka përvojë edhe nga shteti shqiptar dhe në këtë drejtim do të ketë sukses. Gabimet eventuale, të cilat janë paraqitur në anën e Qeverisë së Shqipërisë, sigurisht se nuk do të përsëriten në këtë anë të autostradës së Kosovës”,
shprehu bindjen Selmanaj.

Zyrtarë kosovarë dhe ekspertë të ekonomisë tashmë sa herë kanë deklaruar se ndërtimi i autostradës do të sjellë përfitime ekonomike, përfshirë këtu edhe punësimin, bartjen e mallrave, turizmin etj.

Autostrada Morinë – Merdare ka një gjatësi prej 117 kilometrash dhe është një komponent kyç i rrjetit ballkanik të transportit, që lidh Evropën juglindore me bregdetin e Shqipërisë.
XS
SM
MD
LG