Ndërlidhjet

Përçarjet e vazhdueshme te spektri politik i komunitetit serb në veri të Mitrovicës kanë rezultuar me prishjen e koalicionit ndërmjet radikalëve të Tomisllav Nikolliqit dhe demokratëve të Vojisllav Koshtunicës.


Partitë politike serbe nga pjesa veriore e Mitrovicës kanë prishur koalicionin pas akuzave të ndërsjella dhe përçarjeve që kanë zgjatur me muaj. Në fakt, këto parti politike janë degë të partive nga Serbia.

Si rezultat i mospajtimeve të thella, koalicionin e kanë prishur Partia Demokratike e Serbisë e Vojisllav Koshtunicës dhe Serbia e Re me Partinë Radikale Serbe të Tomisllav Nikolliqit.

Por, radikalët përbëjnë shumicën në organet paralele që Serbia ka ngritur në Mitrovicë dhe pjesën veriore të Kosovës, kështu që radikalët vazhdojnë të ushtrojnë një pushtet të brishtë, me rrezikun që atje sërish të shpallen zgjedhjet e parakohshme, të cilat autoritetet e Kosovës nuk do t’i njohin si edhe në të kaluarën, ngaqë bëhet fjalë për struktura paralele.

Nenad Topliçeviq, pjesëtar i Partisë Radikale, thotë se prishja e koalicionit u pasua nga keqpërdorimet që kanë bërë zyrtarët e partisë së Koshtunicës. Para së gjithash, thotë Topliçeviq, nënkryetari i komunës paralele, Marko Jakshiq, është ai i cili nuk merret me punët që i takojnë, pasi që ai ka dyqane e banesa nëpër Serbi, të cilat i shërbejnë atij për shpëlarje parash.
Nga fillimi ata kishin një qasje ultimative, duke kërkuar që tenderët të ndahen mbi baza partiake...

“Nga fillimi ata kishin një qasje ultimative, duke kërkuar që tenderët të ndahen mbi baza partiake ndërmjet radikalëve dhe Partisë Demokratike dhe në këtë insistonte sidomos Marko Jakshiq”, thotë radikali Topliçeviq.

Ai akuzon ish-partitë e koalicionit dhe zyrtarët e tyre se janë të përfshirë në ndarjen e banesave e lokaleve sipas përkatësisë partiake.

Në anën tjetër, Marko Jakshiq, nga Partia Demokratike e Koshtunicës, i përgënjeshtron radikalët, duke thënë se partia e tij deri sot asnjëherë nuk ka udhëhequr me Mitrovicën.

“Problemi kryesor që ka sjellë deri te prishja e koalicionit me radikalët është para së gjithash se kjo parti politike është në koalicion joformal me Partinë Demokratike të Tadiqit”, thotë Jakshiq.
Është kërkuar nga Qeveria e Serbisë që të vihen masa të përkohshme dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme...

Andaj, ai kërkon ndërhyrjen e Beogradit dhe shpalljen e zgjedhjeve të lira. Bashkëpunimi me partinë e Tadiqit, sipas tij, sjell si rezultat një politikë shumë të butë të Serbisë në raport me Kosovën.

“Është kërkuar nga Qeveria e Serbisë që të vihen masa të përkohshme dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme”, thotë Jakshiq.

Mirëpo, radikali Nenad Topliçeviq problemin e sheh diku tjetër.

“Gjatë kohës së pushtetit të tyre, nga viti 2004 e këndej, drejtorët e ndërmarrjeve dhe politikanët tjerë kanë siguruar për vete banesa e lokale në Mal të Zi, në Beograd dhe në Serbinë jugore e qendrore”, deklaron Topliçeviq.

Kjo, sipas tij, e bën të paqëndrueshëm vazhdimin e mëtutjeshëm të koalicionit me këto parti politike.

Ndërkaq, Dragisha Gjokoviq, nga Partia Demokratike e Boris Tadiqit, thotë se nuk preferon kurrfarë koalicioni me radikalët, kështu që, sipas tij, zgjedhjet e parakohshme mund të jenë zgjidhja më e mirë.

Pushtetet aktuale paralele serbe në veri të Mitrovicës janë rezultat i zgjedhjeve të Serbisë, të mbajtura më 11 maj të vitit 2008.

Ndonëse këto zgjedhje ishin shpallur si jolegale dhe jolegjitime nga administrata e UNMIK-ut si dhe institucionet e Kosovës, këto pushtete komunale kanë funksionuar dhe funksionojnë në kuadër të sistemit paralel që Serbia ka organizuar në Kosovë, e sidomos në veri të saj.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG