Ndërlidhjet

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, në bashkëpunim me Zyrën e Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, në një tryezë diskutimi në Prishtinë, kanë ngritur çështjen e krijimit të mekanizmit kombëtar për parandalimin e torturës në Kosovë.


Krijimi i mekanizimit kombëtar për parandalimin e torturës në Kosovë do të mundësojë monitorim më efikas dhe të qëndrueshëm të torturës dhe të formave tjera të keqtrajtimit në qendrat e paraburgimit.

Kështu tha Feride Rushti, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), duke theksuar nevojën e një sistemi të qëndrueshëm monitorimi në Kosovë.

Ajo po ashtu tha se institucionet kosovare duhet të jenë të vetëdijshme për obligimet ndërkombëtare që i ka vendi pas pavarësimit. Mekanizimi kombëtar për parandalim është një mundësi e mirë që autoritetet shtetërore të dëshmojnë për cilësi dhe kapacitet shtetëror, pohoi Rushiti.

Duke pasur parasysh faktin se përfshirja dhe financimi nga agjencitë ndërkombëtare mund të zvogëlohet, ajo theksoi se është e rëndësishme për Kosovën që të ketë një mekanizëm nacional të monitorimit me bazë të fortë ligjore dhe të financuar nga shteti.

“Jemi të bindur se inicimi i krijimit të një mekanizimi të tillë, çfarë është Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, jo që do të ndikojë vetëm në përmirësimin e imazhit dhe avancimin e shtetit të Kosovës në sferën e respektimit të të drejtave të njeriut, në harmoni të plotë me standardet dhe praktikat më të avancuara evropiane dhe ndërkombëtare, por do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin dhe ngritjen e respektimit të të drejtave të njeriut në praktikë në vendin tonë”, u shpreh Rushiti.

Edhe Paul Miller, udhëheqës i Zyrës së Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, tha se ky mekanizëm mund të krijohet në Kosovë. Ai shprehu bindjen se ka vullnet për këtë çështje.

Ky mekanizëm mund të shfrytëzohet nga organizatat joqeveritare, Avokati i Popullit dhe organe të tjera joqeveritare, tha Miller, duke shtuar se ky trup mund të ketë qasje edhe në burgje, ku do të bisedohej me të burgosurit dhe personat tjerë, për të vërtetuar nëse ka torturë në këto institucione.

“Ky trup duhet të jetë i pavarur, nuk duhet të krijohen trupa të dyfishtë dhe qeveria duhet ta përkrahë atë përmes legjislacionit, burimeve, bashkëpunimit. Dhe, ajo që është më e rëndësishmja, t’i zbatojë rekomandimet që ky trup do t’i bëjë”, theksoi Miller.

Në anën tjetër, Arsim Janova, zëvendësministër i Drejtësisë, duke mbështetur iniciativën për krijimin e këtij mekanizimi, tha se avancimi i të drejtave të personave të privuar nga liria, për institucionet vendore është proces në vazhdimësi.

“E mbështesim inicimin e QKRMT-së për krijimin e mekanizmit kombëtar parandalues, i cili hap rrugët për një debat të gjerë brenda institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile, për gjetjen e një modeli më të mirë dhe më të përshtatshëm për Kosovën, kuptohet sipas praktikave më të mira ndërkombëtare”, pohoi Janova.

Krijimi i këtij mekanizmi është mjaft i rëndësishëm për Kosovën, për shkak të aderimit të saj në mekanizmat ndërkombëtarë, tha Hilmi Jashari, ish-ushtrues detyre i Ombudsperonit të Kosovës. Ai pohoi se në Kosovë ka pasur raste të torturës dhe keqtrajtimit të të burgosurve.

“Ky mekanizëm është një lloj sigurese kombëtare, i cili, para se të dërgohen rastet tek mekanizmat ndërkombëtarë, do të siguronte mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve”, u shpreh Jashari.

Ndryshe, që nga viti 1999, detyra e monitorimit të qendrave të paraburgimit në Kosovë është realizuar nga faktorët ndërkombëtarë dhe vendorë, por kryesisht jashtë mandatit të shtetit. Në rrafshin institucional, vetëm institucioni i Ombudspersonit realizon vizita të rregullta në qendrat e paraburgimit, si dhe adreson ankesat individuale të të burgosurve.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG