Ndërlidhjet

Autoritetet kosovare tashmë kanë finalizuar marrëveshjen për riatdhesimin e kosovarëve me disa nga shtetet e Bashkimit Evropian. Riatdhesimi i tyre thuhet se do të rrisë edhe më tepër shkallën e papunësisë dhe të varfërisë në Kosovë.


Procesi i riatdhesimit të kosovarëve pa leje qëndrimi në botën perëndimore, do të rrisë edhe më tepër shkallën e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë.

Zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare pohojnë se pavarësisht marrëveshjeve të palës kosovare me disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për riatdhesim, shtetet përkatëse duhet të kenë kujdes në këtë proces, për shkak të gjendjes së rëndë socio-ekonomike.

Gjergj Dedaj, zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se, për shkaqe humane, kjo çështje edhe më tej duhet të analizohet.

“Duke marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë dhe të varfërisë, do të ishte mirë, humane, por edhe e dobishme, që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, ku kosovarët nuk e kanë të zgjidhur të drejtën dhe statusin e tyre, të jenë më fleksibile dhe të kenë mirëkuptim për çështjen e kosovarëve”, shprehet Dedaj.

Por, pavarësisht nga kjo, më 28 shtator, një aeroplan përplot me romë është planifikuar të kthehet nga Gjermania për në Kosovë. Riatdhesimi i tyre paraqet fakt shqetësues për organizatat joqeveritare të bashkësisë etnike rome.

Bekim Syla, nga Qendra Dokumentuese për Romë, Ashkali dhe Egjiptas, thotë se nuk është kundër procesit të riatdhesimit të romëve, por, sipas tij, kthimi i tyre duhet të bëhet në mënyrë më të organizuar, pasi që 99 për qind e bashkësisë etnike rome në Kosovë jeton në kushte jashtëzakonisht të vështira.

Për këtë, shton Syla, disa prej tyre do të tentojnë prapë të migrojnë në mënyrë ilegale në ndonjë vend të Bashkimit Evropian.

“Nuk jam kundër kthimit, por kthimi të bëhet në një mënyrë më të organizuar. Përveç faktit që e shohim se çfarë është gjendja ekonomike për familjet që jetojnë këtu, kjo do të jetë dhe një ngarkesë për ato familje, sepse ato nuk kanë ku të shkojnë, pos që të mbështeten në ato familje që jetojnë këtu”, thotë Syla.

Ai pohon se procesi i riatdhesimit të pjesëtarëve të nacionalitetit rom është nënshkruar në vitin 2005 nga administrata e UNMIK-ut dhe Qeveria gjermane. Ndërkaq, deri më tani janë kthyer mbi 3000 pjesëtarë të këtij komuniteti dhe me problemet e tyre, shton Syla, nuk janë marrë as institucionet vendore dhe as ato ndërkombëtare.

“Janë kthyer disa familje që nuk kanë as pronë, nuk kanë ku të kthehen. Nuk ka pasur organizime që të kthehen në atë destinacionin e duhur. Shumica prej familjeve kanë mbetur në aeroport. Do të thotë, janë kthyer me dhunë deri në aeroport dhe kanë ngelur aty, sepse nuk kanë pasur as të holla për të paguar një taksi për të shkuar te ndonjë familje”,
shprehet Syla.

Ai thotë se që nga vitet e 90-ta, në vendet e Bashkimit Evropian kanë migruar mbi 50 mijë pjesëtarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas.

Vetëm në Gjermani vlerësohet të jenë afër 23 mijë romë, ndërsa deri në vitin 2010 planifikohet të kthehen rreth 10 mijë prej tyre.

Institucionet kosovare tashmë kanë finalizuar marrëveshjet për riatdhesimin e kosovarëve me Gjermaninë dhe Zvicrën, ndërkaq pritet që marrëveshje të arrihen edhe me Norvegjinë, Belgjikën, Hungarinë dhe Austrinë.

Marrëveshjet e riatdhesimit janë ndër kushtet kryesore në procesin e liberalizmit të vizave. Ndërkaq, Republika e Kosovës, pas pavarësimit, ka marrë të gjitha përgjegjësitë për shtetasit e saj, të cilët gjenden përkohësisht jashtë vendit dhe që nuk e kanë të rregulluar statusin e tyre legal.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG