Ndërlidhjet

Akuza për shpenzime buxhetore


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Anëtarët e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për shpenzime të mëdha. Sipas tyre, nga një përllogaritje e shkurtër nga Auditori Gjeneral i Kosovës, janë shpenzuar rreth 35 milionë e 100 mijë euro. Ndërkaq, përfaqësuesit e Qeverisë i kanë kundërshtuar këto deklarata.


Përfaqësuesit e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë shprehur sot shqetësimet e tyre lidhur me devijimet dhe humbjet, siç thonë ata, që po i shkaktohen buxhetit të Kosovës nga qeverisja aktuale.

Sipas tyre, në raportin e fundit të Auditorit Gjeneral të Kosovës për vitin 2008, buxhetit të konsoliduar të Kosovës i janë shkaktuar rreth 35 milionë e 100 mijë euro humbje.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Haki Shatri, thotë se kjo shumë e parave të humbura paraqet një fakt shqetësues.

“Sa për ta argumentuar konstatimin tim, unë vetëm do t’ju jap dy segmente: te pjesa ku shkruan analiza e pagesave në faqen 14 deri në 17, janë konstatuar parregullsi, të cilat së bashku kapin shumën prej 35 milionë e 100 mijë euro. Vetëm në këto 3-4 faqe janë konstatuar parregullsi nga Auditori Gjeneral, pa u lëshuar në detaje të tjera”, vlerëson Shatri.

Por, nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, i hedh poshtë deklaratat e tilla. Siç thotë ai, në bazë të raportit të fundit të Auditorit Gjeneral të Kosovës, të gjitha ministritë e Qeverisë së Kosovës janë ngritur në nivelin më të lartë të menaxhimit të duhur të buxhetit.

“Raporti i Auditorit Gjeneral për këtë vit për të gjitha ministritë është më i miri se kurdoherë më parë. Po ashtu, raporti i përgjithshëm, nëse krahasohet me qeveritë e tjera të mëhershme, këtë qeveri e vë në piedestal shumë më të lartë se qeveritë e tjera të mëhershme”, konsideron Shala.

Mirëpo, zoti Shatri thotë se përveç keqpërdorimit të institucioneve publike, zyrtarët qeveritarë nuk kanë shprehur interesim as për përmirësimin e vërejtjeve të dhëna nga auditori.

“Në raport thuhet qartë se pos gjetjeve reale të shkeljeve praktike, konstatohet edhe një mungesë e vullnetit për t’i eliminuar gjetjet nga Auditori Gjeneral dhe kjo është një shkelje shumë e rëndë”, thekson Shatri.

Lidhur me këtë çështje, ministri i Ekonomisë, Ahmet Shala, shprehet:

“Do të ishte mirë mbase që të gjithë ata njerëz që japin deklarata të tilla, të konsultohen ose me profesionistë të caktuar, ose me etikën e tyre, përndryshe Auditori Gjeneral sigurisht do ta ketë edhe fjalën e vet”.

“Tekefundit, ato janë edhe vendime dhe publikime publike, në të cilat qytetarët e Kosovës dhe kushdo qoftë kanë akces për t’i lexuar dhe do të binden vetë”.


Ndërsa, sa i takon raportit të Qeverisë së Kosovës për shpenzimin buxhetor, i cili është miratuar nga ana e saj, zoti Shatri thotë se vetëm në një përllogaritje të shkurtër për telefona, karburante dhe avance, janë shpenzuar mjete të konsiderueshme.

“Çështje tjetër që kemi konstatuar për shpenzimet buxhetore për këtë gjashtëmujor është edhe një dukuri që bie ndesh me deklarimet prej kryeministrit dhe Kabinetit qeveritar”.

“Telefonat fiks dhe ata mobilë, të dy bashkë, për 6 muaj bëjnë një milion e gjysmë. Karburanti bën 3 milionë. Avancet e pambyllura janë 750 mijë euro - avance për udhëtim zyrtar”,
thotë Shatri, duke apeluar te Qeveria e Kosovës që të marrë masa për përmirësimin e gjendjes në këtë drejtim.

Sipas tij, raportet e auditorit nuk duhet të lihen vetëm në sirtarë.
XS
SM
MD
LG