Ndërlidhjet

Serbia kërkon samit të të painkuadruarve



Serbia ka propozuar mbajtjen e samitit të 120 anëtarëve të Lëvizjes së të Painkuadruarve, lëvizje kjo, që kishte zemëruar SHBA-të për shkak të kundërshtimit të saj mbi invazionin në Irak dhe për mbështetjen e dhënë Iranit dhe Kubës.

Presidenti serb Boris Tadiq i ka ftuar liderët e kësaj lëvizjeje, që të takohen në Beograd, për të shënuar samitin e parë të mbajtur në të njëjtin vend në vitin 1961.

Në atë kohë, Serbia ishte pjesë e Federatës jugosllave, lideri i së cilës, Josip Broz Tito, pat luajtur rol thelbësor në krijimin e organizatës.

Lëvizja e të Painkuadruarve ka qenë kritike e ashpër e veprimeve të SHBA-së, ndërsa ka shprehur mbështetje për qeveritë në Iran, Kubë dhe Zimbabve.

Në fillim të këtij muaji, ambasadorja amerikane në OKB Suzan Rajs, nuk pranoi të komentonte lëvizjen duke e quajtur si të “vjetëruar”.

Serbia ka qenë në konflikt me Uashingtonin rreth njohjes se Kosovës nga ana e Amerikës.

“Më lejoni të theksoj se Serbia do të vazhdojë të angazhohet në Lëvizjen… sepse besojmë se stabiliteti dhe prosperiteti ndërkombëtar nuk mund të konsolidohet pa i marrë parasysh pikëpamjet e shumicës së kombeve në botë”, ka thënë Tadiq.
XS
SM
MD
LG