Ndërlidhjet

Ahmeti: Lojaliteti ynë do të varet nga lojaliteti i shtetit


Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim

Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim

"Pas Enciklopedisë së Maqedonisë qëndrojnë forca që nuk kanë kuptuar se e ardhmja varet nga raportet e shqiptarëve dhe maqedonasve", thotë për Radion Evropa e Lirë, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim. Ai thotë se nëse pas teksteve qëndron dikush nga politika, atëherë kjo do të ketë pasoja.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Ahmeti, Enciklopedinë e keni quajtur “pamflet politik” që rrënon karakterin multietnik të shtetit. Atëherë, sipas jush, kush qëndron pas gjithë kësaj?

ALI AHMETI
Pas këtij pamfleti politik qëndrojnë forca ende të pareformuara, që nuk e kanë kuptuar realitetin në Maqedoni, të cilat ende nuk e kanë kuptuar realitetin që e ardhmja e Maqedonisë varet nga marrëdhëniet mes dy komuniteteve më të mëdha, maqedonasve dhe shqiptarëve. Këto forca ende nuk e kanë kuptuar faktin se ky shtet u takon edhe shqiptarëve dhe përgjegjësitë i kanë dy komunitetet më të mëdha.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, megjithatë Enciklopedia është botuar me mjete të Qeverisë, ndërkohë kryeministri Gruevski ende nuk ka bërë një prononcim, ku qartë do të distancohej nga kjo enciklopedi. Si e komentoni ju këtë?

ALI AHMETI
Nuk do të doja të besoja se pas kësaj politike mund të qëndrojnë autoritetet shtetërore, sepse nëse qëndrojnë autoritetet shtetërore, atëherë mendoj se është një e keqe trefish më e madhe sesa kjo që ndodhi, ky provokim me zotin Bllazhe Ristevski në krye të Këshillit redaktues të Enciklopedisë.

Për atë arsye besoj se autoritetet politike duhet të prononcohen sa i takon kësaj paraqitjeje në Enciklopedinë maqedonase, që të hiqen dilemat, qoftë te komuniteti ndërkombëtar, qoftë tek ai shqiptar, qoftë dhe te fqinjët tanë si Shqipëria dhe Kosova, se pas këtyre teksteve kaq provokuese dhe kaq përçarëse nuk qëndrojnë autoritetet politike të vendit dhe të shtetit.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mund t’i prishë Enciklopedia raportet brenda koalicionit qeverisës, pjesë e të cilit është partia që ju drejtoni, BDI?

ALI AHMETI
Tash nëse, po them në mënyrë hipotetike, dikush nga Qeveria e Maqedonisë, ose dikush nga pjesëtarët politikë, është pjesëmarrës në hartimin e këtyre teksteve, sigurisht që kjo do të ketë pasoja, por përderisa nuk kemi argumente, ne nuk mund ta akuzojmë dikë pa fakte.

Ne, deri më tash, konstatojmë që ky tekst është hartuar nga një pjesë e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë me qëllime tendencioze dhe vlerësimet e mëtejme presim të bëhen jo vetëm nga shkencëtarët shqiptarë, por edhe nga ata maqedonas, sepse këtë situatë duhet ta tejkalojmë bashkërisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, opozita shqiptare në vazhdimësi ju ka akuzuar për pozitën inferiore të BDI-së në pushtet. Ju, jeni të kënaqur me dinamikën e realizimit të premtimeve parazgjedhore?

ALI AHMETI
Sa u takon projekteve dhe premtimeve që ne i kemi bërë, në radhë të parë them se po respektohet përfaqësimi i drejtë i komuniteteve jo shumicë në Maqedoni.

Tash unë nuk dua të kapem për shifra konkrete sa avancime janë bërë për shqiptarët, por di që brenda këtij viti janë punësuar diku mbi 1200 shqiptarë në administratën publike, në Parlamentin e Maqedonisë është votuar ligji për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e Parlamentit, edhe në lëmin e arsimit ka mjaft përparim, gjithashtu edhe në kulturë.

Do të thotë bëhet fjalë për të arritura që nuk do të duhej të përmenden dhe për të cilat ne nuk duhet të jemi mirënjohës për avancimin e këtyre çështjeve, megjithatë ka edhe shumë punë për t’u bërë, nevojitet një vullnet nga të dy palët, në veçanti nga komuniteti maqedonas, ngase ne nuk kërkojmë të marrim asgjë që nuk na takon.

Ne, gjithçka që dëshirojmë është ajo që u takon shqiptarëve, sepse ky është dhe vend i tyre, dhe lojaliteti i qytetarëve shqiptarë do të varet dhe nga lojaliteti i shtetit ndaj shqiptarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Jeni optimist se së shpejti do të zgjidhet çështja e emrit me këtë të debllokohet dhe procesi i integrimit të vendit në BE dhe në NATO?

ALI AHMETI
Mendoj se zgjidhje duhet të ketë, sa i takon kontestit me Greqinë, dhe në këtë moment duhet të jemi pak më të shkathtë në drejtim të arritjes së një zgjidhjeje përfundimtare për këtë çështje, ngase çdo vonesë mund të hapë dhe konteste tjera. Andaj, sa më parë që të mbyllet ky problem, ne në atë moment do të jemi brenda NATO-s.

Unë jam i bindur se kjo çështje do të zgjidhet edhe me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, në veçanti do të theksoja dy forcat më të mëdha, atë të SHBA-së dhe të BE-së, që do të inkurajojnë palët e përfshira në këtë kontest që kjo çështje të mbyllet sa më parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Tashmë pothuaj një vit pas njohjes së Kosovës ende nuk janë vendosur marrëdhëniet diplomatike. Kush e bllokon këtë?

ALI AHMETI
Mendoj se është një çështje që do të ketë një zgjidhje, bëhet fjalë për disa konteste të vogla në pjesën veriore të kufirit. Komisionet dypalëshe janë duke punuar në kontinuitet dhe besoj se ato pjesë të vogla kontestuese do të mbyllen dhe së shpejti do të vendosen marrëdhënie diplomatike me Kosovën, sepse përsëri e them kjo është në të mirën e të dyja vendeve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG