Ndërlidhjet

logo-print

Obama: Irani po shkon drejt konfrontimit

  • RFE /RL

Presidenti Barak Obama

Presidenti Barak Obama

Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, tha se Irani shkon drejt konfrontimit me fuqitë botërore, nëse nuk e sqaron programin e tij bërthamor. Teherani përgjigjet se së shpejti do të vë në funksion uzinën e re bërthamore.


Presidenti amerikan ka thënë se, nëse nuk sqarohet për programin e tij bërthamor, Irani do jetë në rrugë të konfrontimit me fuqitë botërore.

Barak Obama ka folur në mbyllje të samitit G-20, pasi që Irani pranoi se po ndërtonte një uzinë të re për pasurimin e uraniumit.

"Irani ka të drejtë për fuqi nukleare paqësore, që i përmbush nevojat energjetike të popullit të tij, por madhësia dhe konfigurimi i kësaj uzine nuk janë në përputhshmëri me një program paqësor.”

“Irani po i thyen rregullat, që secili shtet duhet t’i ndjekë, po rrezikon regjimin global të mospërhapjes së armëve dhe po kërcënon stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe të botës”,
ka thënë Obama.

Presidenti iranian, Mahmud Ahmedinexhad, tha se uzina ishte ndërtuar në përputhje me rregulloret e OKB-së.

Me gjithë reagimet ndërkombëtare, Irani ka bërë të ditur se nuk do të heqë dorë nga uzina në fjalë. Zyrtarët në Republikën Islamike kanë thënë se uzina në ndërtim e pasurimit të uraniumit mundet shpejt të bëhet funksionale.

Muhamed Muhamedi-Golpajegani, që kryeson Zyrën e liderit suprem Ajatollah Hamnei, citohet të ketë thënë se “kjo uzinë, me emër të Zotit, së shpejti do të nisë së funksionuari”.

Të premten, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore ka thënë se Irani i ka shkruar Agjencisë më 21 shtator, duke zbuluar se po ndërton një uzinë të re për pasurimin e uraniumit.

Presidenti amerikan, Barak Obama, ka paralajmëruar sanksione, nëse takimi i javës së ardhshme mes fuqive botërore dhe Iranit nuk jep rezultate.

Edhe presidenti rus Dimitri Medvedev ka thënë se, nëse Irani nuk bashkëpunon në takimin e 1 tetorit, atëherë “metoda tjera” duhet të përdoren për t’u marrë me programin bërthamor të Teheranit.

Në anën tjetër, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban ki Moon, i ka thënë presidentit iranian, Mahmud Ahmedinexhad, në një takim në Nju- Jork, se ai është shumë i shqetësuar rreth pasurimit të uraniumit nga ana e Iranit.

Në një deklaratë për media të OKB-së, Ban citohet të ketë përsëritur kërkesën e tij, që Irani të zbatojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të bashkëpunojë plotësisht me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore.

Ban, po ashtu, ka theksuar se bisedimet konstruktive duhet të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ndërsa, Izraeli tha se ndërtimi i uzinës së dytë bërthamore, tregon se Irani është në kërkim të armëve bërthamore.
XS
SM
MD
LG