Ndërlidhjet

Kërkesë për zyrtarizim të gjuhës së shenjave


Pamje nga Prishtina

Pamje nga Prishtina

Me rastin e shënimit të “Javës së Personave të Shurdhër”, përfaqësues të Shoqatës Kosovare të Personave të Shurdhër problem kryesor e konsiderojnë moszyrtarizimin e gjuhës së shenjave. Ndërsa, zyrtarë qeveritarë shpresojnë që zyrtarizimi i kësaj gjuhe do të bëhet brenda këtij viti.


Personat e shurdhër dhe ata me pengesa në dëgjim po diskriminohen nga institucionet dhe shoqëria kosovare në përgjithësi.

Kështu thonë përfaqësues të Shoqatës së Personave të Shurdhër me rastin e shënimit të “Javës së Personave të Shurdhër”, e cila po mbahet për herë të parë në Kosovë.

Sipas tyre, ky komunitet nuk është i barabartë me qytetarët tjerë kosovarë, qoftë në aspektin e arsimimit, qoftë në atë të punësimit.

Vehbi Rukovci, kryetar i Shoqatës së Personave të Shurdhër, me anë të folësit Selman Hoti, shpjegon mosrespektimin e të drejtave elementare të këtyre personave.

Punësimi nuk është në nivel të kënaqshëm. Shkollimi - ekziston shkolla, por ne kërkojmë që të kemi një sistem më të avancuar të edukimit për këtë kategori”.

“Ne jemi në bashkëpunim me shkollën e të shurdhërve që ekziston në Prizren, por dëshirojmë që t’i ndërtojmë edhe atje kapacitetet që të ketë një edukim më të mirë",
thekson Rukovci.

Problemi më i madh që e vështirëson jetën e këtyre personave në Kosovë, është moszyrtarizimi i gjuhës së shenjave nëpër institucione, thotë Enver Kurtalani, administrator në Shoqatën e Personave të Shurdhër.

Me zyrtarizmin e gjuhës së shenjave, do të mundësohej edhe jetësimi i të drejtave për personat e shurdhër, meqë mungesa e kësaj gjuhe po e vështirëson edhe çështjen e punësimit, vlerëson Kurtalani, sërish përmes interpretuesit.

"Edhe pse ligji dhe organizata e personave me aftësi të kufizuara, kanë propozuar që çdo i 25-ti i punësuar të jetë person me aftësi të kufizuara, kjo prapë nuk po ndodh”.

“Institucionet e Kosovës e kanë ndryshuar në 50, mirëpo prapë kjo nuk po respektohet. Do të thotë krejt puna jonë, e cila është duke u bërë tani, është që të shihemi si të barabartë me personat tjerë",
thotë Kurtalani

Moszyrtarizmi i gjuhës së shenjave po i diskriminon personat e shurdhër, shton Kurtalani.

Sipas tij, në mënyrë që qytetarët me aftësi të kufizuar në të dëgjuar të kenë lirinë për t’u qasur në shoqëri dhe për të gëzuar po të njëjtat të drejta sikurse edhe qytetarët tjerë në Kosovë, janë të nevojshme shërbimet e një interpretuesi të trajnuar, posaçërisht, siç thotë ai, në situata të rëndësishme jetësore.

“Po, kur nuk ka qasje në punësim, apo nuk ka qasje në informim personi i shurdhër, ky është diskriminim direkt, sepse atëherë nuk ka qasje në informacionet zyrtare”, shprehet Kurtalani.

Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë shpresojnë që brenda këtij viti do të bëhet zyrtarizmi i gjuhës së shenjave.

Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Kryeministrisë, theksoi se janë duke punuar në zbatimin e planit nacional, që tashmë është miratuar nga Qeveria e Kosovës, e që adreson, siç thotë ai, çështjet e edukimit, shëndetësisë, çështjet sociale por edhe pranimin e gjuhës së shenjave.

“Jemi shumë aktivë duke punuar me vetë komunitetin, sepse jemi duke bërë analiza, jemi duke bërë hulumtime brenda terrenit këtu në Kosovë, e jemi duke bërë edhe praktikat e vendeve të ndryshme dhe presim që brenda këtij viti të bëhet zyrtarizimi i gjuhës së shenjave”, thotë Hajredini.

Sidoqoftë, sipas organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, në Kosovë vlerësohet se jetojnë afër 20 mijë persona të shurdhër dhe me dëmtime në sistemin e të dëgjuarit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG