Ndërlidhjet

1200 shkolla për mbajtjen e zgjedhjeve lokale


Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, lidhur me procesin e zgjedhjeve të 15 nëntorit. Kjo marrëveshje obligon Ministrinë e Arsimit që ta ndihmojë KQZ-në për krijimin e kushteve në përgatitjen dhe sigurimin e hapësirës për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike në Republikën e Kosovës.


Të gjitha shkollat fillore dhe ato të mesme në Kosovë do të jenë në shërbim të qytetarëve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit.

Kështu tha ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, me rastin e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit me Komisionin Qendror Zgjedhor.

Ky memorandum e obligon Ministrinë e Arsimit që t’i vërë në dispozicion shkollat fillore dhe të mesme, si dhe objektet e tjera në shërbim të procesit për votimit.

Memorandumin e arritur, kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, e ka konsideruar të një rëndësie të veçantë.

“Sot është një ditë e rëndësishme për ne, për arsye se qëllimi i këtij takimi është nënshkrimi i këtij memorandumi të mirëkuptimit me ju, i cili për KQZ-në ka një rëndësi shumë të madhe duke e ditur se ka të bëjë me qendrat e votimit dhe duke ditur që ka rëndësi shumë të madhe për vetë procesin zgjedhor dhe për ditën e zgjedhjeve”.

“Ne, vërtet, po i kushtojmë një rëndësi shumë të madhe procesit zgjedhor dhe pa këtë marrëveshje zgjedhjet nuk do të kishin rrjedhur ashtu siç do të duhej”,
thotë zonja Lushta.

Zonja Lushta pohon se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shumë nevojë për përkrahje.

Sipas saj, po punohet në përgatitje sa më të mira, në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen duke u bazuar në ligj dhe në respektimin e ligjit.

Ndërkaq, ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, thotë se memorandumi i mirëkuptimit e obligon MASHT-in që t’i vërë në dispozicion objektet shkollore dhe objektet e tjera në shërbim të procesit të votimit.

Mirëpo, Hoxhaj thekson se, ndonëse objektet do të jenë në shërbim të qytetarëve, shkollat janë apolitike.
Enver Hoxhaj, ministër i MASHT-it



Ne kemi nënshkruar një memorandum ku, mbi të gjitha, definohet mënyra se si duhet të përdoren objektet shkollore gjatë mbajtjes së zgjedhjeve të lira”.

“Shkollat janë apolitike në Republikën e Kosovës. Prandaj edhe qëndrimi ynë, si Ministri e Arsimit, është që vetëm pjesa e qytetarëve që kanë të drejtë vote mund të apelohen – ftohen nga partitë politike që atë ditë ta marrin besimin e tyre”.

“Mirëpo as nxënësit, as të tjerët nuk duhet të jenë objekt i mesazheve që vijnë nga partitë politike për një gjë të tillë. Nëse ndodhin, unë jam i obliguar që ta respektoj dinjitetin e nxënësit dhe ta respektoj pavarësinë e shkollës”,
shpjegon Hoxhaj.

Republika e Kosovës ka 1200 objekte shkollore.

Ndryshe, Komisioni Qendror Zgjedhor ka certifikuar katër subjektet politike që kanë paraqitur aplikacionin për certifikim dhe verifikim të listave të kandidatëve.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG