Ndërlidhjet

Spastrimi i listave të votuesve


Përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se janë duke punuar intensivisht që sa më parë të rifreskohen listat e votuesve. Ndërkaq, disa nga partitë opozitare thonë që nëse me kohë nuk arrijnë që t’i çregjistrojnë personat që kanë ndërruar jetë, do të ketë probleme.


Përfaqësuesit e partive opozitare i kërkojnë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta rifreskojë listën e votuesve, e cila, sipas tyre, nuk është e vlefshme dhe nuk përmban të dhënat aktuale mbi votuesit me të drejtë vote.

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, parasheh probleme eventuale gjatë zgjedhjeve të 15 nëntorit, po qe se KQZ-ja, nuk arrin për një kohë të shkurtër të bëjë rifreskimin e emrave në listat e votuesve.

“Kemi një shkëputje në këtë listë për shkak se deri vonë ka qenë në administrim të OSBE-së edhe KQZ-ja nuk ka pasur qasje në këtë listë. Së dyti, ka munguar një bashkërendim i veprimeve në mes të nivelit lokal të MPB dhe KQZ-se, për të rifreskuar këtë listë”, thotë Makolli.

Makolli po ashtu thekson se, nëse nuk bëhet rifreskimi i listave të votuesve, do t’u pamundësohet votimi atyre votuesve që për herë të parë do ta realizojnë të drejtën e votës.

Ai mendon se në listat e votuesve ende figurojnë emrat e personave që kanë ndërruar jetë.

“Lista zgjedhore, siç dihet, në çdo vend nuk rifreskohet vetëm në periudhën e zgjedhjeve, po ajo rifreskohet në vazhdimësi”.

“Kam frikë se kjo listë kësisoj si është, nuk është e kompletuar dhe lë shumë hapësirë për të dyshuar, për manipulime të mundshme për shkak se në këtë listë ka një numër të atyre që nuk janë më në këtë jetë”,
pohon Makolli.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, e cilëson si të rëndësishëm dhe intensiv këtë proces, por pohon se ka përfunduar një numër i konsiderueshëm i punëve në këtë drejtim.

Listat janë pastruar. Obligimi i KQZ-së ka qenë që nga Ministria e Punëve të Brendshme të merret ekstrakti i fundit nga regjistri qendror civil dhe është dashur që aty të hiqen emrat e personave që kanë ndërruar jetë”.

“Mirëpo, ne kemi punuar intensivisht në bashkëpunim me Ministrinë dhe me ndihmën e OSBE-së, që listat të azhurohen. Ka qenë një punë shumë e madhe dhe në terren, dhe kjo listë e votuesve nuk është përfundimtare”,
shpjegoi zonja Lushta.

Lushta sqaron se krahas punëve për largimin nga lista e votuesve, të emrave të personave, të cilët nuk jetojnë më, është bërë edhe futja e emrave të rinj, që tashmë e kanë arritur moshën për të votuar.

Ndërsa, publikimi i listës përfundimtare me numrin e qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit do të bëhet më 6 tetor.
XS
SM
MD
LG