Ndërlidhjet

Vazhdojnë debatet


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Opozita dhe Qeveria në Prishtinë kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella në lidhje me rastin e vjedhjes së kryer pesë muaj më parë në dhomën e dëshmive në ndërtesën e Policisë së Kosovës. Derisa partia opozitare, AAK-ja, akuzon Qeverinë se po e pengon ndriçimin e rastit, Qeveria thotë se është AAK-ja ajo që po mundohet t'i politizojë rastet që janë në hetim e sipër.


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka akuzuar Qeverinë se po e pengon zbardhjen e rastit të vjedhjes në dhomën e dëshmive në ndërtesën e Policisë së Kosovës.

AAK-ja konsideron se vjedhja e rreth 47 kilogramë droge dhe një sasie parash në dhomën e dëshmive, ka të bëjë me një akt të krimit të organizuar ku janë të përfshira edhe strukturat politike.

Këto akuza hidhen poshtë nga Qeveria e Kosovës, e cila thotë se është e interesuar që të zbardhet rasti dhe kryesit e veprës të dalin para drejtësisë.

Por, sipas Burim Ramadanit, sekretar i përgjithshëm i AAK-së, kalimi i një kohe prej pesë muajsh nga ky rast, pa rezultate në ndriçimin e tij, dëshmon se Qeveria është e interesuar t’i pengojë organet e hetuesisë dhe Policinë e Kosovës që ta zbardhë rastin.

“Është parë dhe është vërejtur në mënyrë shumë të qartë tendenca ose insistimi i Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për ta heshtur rastin”.

“Kjo, realisht, është vjedhja më e madhe, ose ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në institucionet e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. Pra, është goditja më e rëndë në historinë e institucioneve të shtetit të Kosovës”,
thotë Ramadani.

Ndaj këtyre akuzave ka reaguar Qeveria, përmes zëdhënësit Memli Krasniqi. Ai i cilëson deklaratat e AAK-së dhe zyrtarëve të saj si pjesë të retorikës politike dhe e fton AAK-në që të ndalë një gjuhë të tillë akuzash.

Krasniqi thotë se nuk është Qeveria ajo që i politizon rastet, por është AAK-ja, pasi që u jep karakter politik rasteve që aktualisht janë nën hetime e sipër.

Kjo është një përsëritje e refrenit të vjetër, të njohur të AAK-së. Është konstatim i padrejtë, i pasaktë, por vjen vetëm si nevojë e tyre për të thënë diçka”.

“Ne i ftojmë edhe njëherë që ata të mos tentojnë të ndikojnë politikisht ndaj proceseve që nuk duhet të kenë ndikim politik dhe ne besojmë se askush nuk duhet t’i japë vetes kompetenca më shumë, ose të ketë përzierje në çështjet që nuk na takojnë si skenë politike”,
thekson Krasniqi.

Në anën tjetër, Burim Ramadani i AAK-së thotë se Qeveria është e interesuar ta dobësojë Policinë e Kosovës dhe ta prishë imazhin e saj.

Vetë përfshirja e elementeve politike, sipas tij, në çështjet profesionale, ka bërë që rastet e tilla eklatante të mbeten të pazbuluara.

“Kjo vjedhje nuk është një vjedhje ordinere, por është vjedhje e tipit të krimit të organizuar dhe, si e tillë, ka pasur ndikime dhe përfshirje si të pjesës profesionale, ashtu edhe të asaj politike; ose të paktën ka përgjegjësi politike për atë që ka ndodhur”.

“Prandaj, konsiderojmë që vjedhja ka qenë një bashkëdyzim i elementeve kriminale në pjesën profesionale, por edhe politike të Qeverisë”,
thotë Ramadani.

Ndryshe nga Burim Ramadani i AAK-së, mendon Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë.

Ai thotë se është Qeveria aktuale e Kosovës ajo që ka investuar më shumë në sundimin e rendit dhe ligjit në luftë kundër krimit dhe dukurive tjera negative.

Kjo Qeveri është dëshmuar si Qeveri komplet e përkushtuar për sundim të rendit dhe ligjit dhe zhvillimet e përparimet në këtë drejtim janë dëshmia më e mirë e këtij përkushtimi”.

“Ne besojmë se hetimet për zbulimin e rastit drastik të vjedhjes në polici do të japin rezultatet e veta, sepse është interes i përgjithshëm, në veçanti i institucioneve qeveritare që fajtorët të sillen para drejtësisë”,
pohon Krasniqi.

Në natën mes datës 24 dhe 25 prill të këtij viti, persona të paidentifikuar kanë vjedhur në dhomën e provave, në katin e pestë në ndërtesën e policisë, 47 kilogramë drogë të llojit heroinë dhe shuma të caktuara parash.

Që nga ajo kohë, rasti, ndonëse është cilësuar si vjedhja më e rëndë pasi që bëhet fjalë për ndërtesën e Policisë së Kosovës, vazhdon të jetë nën hetime.
XS
SM
MD
LG