Ndërlidhjet

Sejdiu: Kemi premtime për njohje të reja


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas kthimit nga Nju Jorku, tha se ka marrë premtimet e të paktën tri shteteve, si Tuvalu, Malavi dhe Katari, që janë apostrofuar nga ai si shtetet që njohjen e Kosovës e kanë vetëm çështje ditësh.

Kosova ka marrë premtime për njohje të reja, ka thënë presidenti Fatmir Sejdiu pas kthimit nga Nju-Jorku.

Presidenti Sejdiu për një javë rresht ka qëndruar në Nju-Jork, ku bashkë me ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni, gjatë kohës së mbajtjes së punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kanë zhvilluar një aktivitet diplomatik në përpjekje të sigurimit të njohjeve të reja të shtetit të Kosovës.

Sejdiu tha se ka edhe premtime konkrete nga disa vende se shumë shpejt do ta njohin Kosovën e pavarur.

“Unë them se janë dy–tri vende, në veçanti janë Tuvalu, Malavi, pastaj janë Emiratet e Katarit, që janë afër njohjes dhe unë nuk besoj se do të shkojnë larg”.
Fatmir Sejdiu


“Dua të them se kam takuar edhe kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, pra janë njerëz që po ashtu kanë dhënë premtime në kuptimin e studimit dhe përshpejtimit të procedurave; fjalë vazhdimisht të mira dhe mendoj se do të procedojnë kemi edhe nga shteti i Pakistanit”,
tha Sejdiu.


Derisa ka shprehur keqardhje për qëndrimin rigoroz të Spanjës kundër pavarësisë së Kosovës, presidenti Sejdiu ka ftuar Madridin që, së paku, simbolikisht t’i mbajë në Kosovë trupat në kuadër të KFOR-it.

Ndërkaq, lidhur me kundërshtimet e Beogradit dhe presidentit Boris Tadiq ndaj pranisë së delegacionit të Kosovës në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara dhe insistimit të tij që të zbatohet plani 6-pikësh i Ban ki-Munit, Sejdiu tha se nuk e ka ndërmend të lëshohet në replika me Tadiqin, pasi që pozicioni serb tashmë, sipas tij, është në kundërshtim edhe me politikat e vendeve më të zhvilluara të botës.

“Unë mendoj se edhe për vetë Serbinë është më mirë që të kthehet në racionalitet dhe jetojë në frymën e jetës evropiane”.

“Ne nuk kemi dashur asnjëherë që të biem në zënkat e tyre, që janë paraqitur në forma të ndryshme, pra edhe kërkesa që të përjashtohemi dhe të mos na lejohet mundësia që të hyjmë në godinën e Asamblesë së Përgjithshme, apo në atë të OKB-së dhe çështje tjera”.

“Edhe një herë, një falënderim të madh për të gjitha këto vende që, pavarësisht se disa prej tyre nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës shprehin dashamirësi, mbështetje dhe natyrisht që kjo është një shenjë e mirë”,
theksoi presidenti i Kosovës.

Edhe pas kthimit të Sejdiut, Kosova do të mbetet e përfaqësuar në Nju-Jork nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni edhe për disa ditë, pasi që në Asamblenë e Përgjithshme javën e ardhshme i fillon punimet java ministrore.

Për shkak se Kosova nuk është anëtare e OKB-së, ajo nuk ka mundur të marrë pjesën në punimet e Asamblesë, por siç tha presidenti Sejdiu, delegacioni i Kosovës përveç takimeve të shumta me presidentë e delegacione të shteteve të ndryshme, ka marrë pjesë në takime të shumta që organizohen gjatë kohës së mbajtjes së punimeve të Asamblesë.

Gjatë qëndrimit në Nju-Jork, Sejdiu është pritur edhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, të cilin, siç tha Sejdiu, në emër të Kosovës dhe popullit të saj e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja i jep Kosovës dhe zhvillimit të saj.
XS
SM
MD
LG