Ndërlidhjet

Merkel: Dua të jem kancelare e të gjithë gjermanëve


Angela Merkel

Angela Merkel

Votuesit gjermanë kanë vendosur që kancelarja aktuale, Angela Merkel, të mbetet edhe një mandat në këtë post.

Rezultatet tregojnë se demokristianët e zonjës Merkel kanë marrë pothuajse 34% të votave në zgjedhjet e djeshme, ndërsa socialdemokratët rivalë arritën të fitojnë 23%.

Ky ishte rezultati më i dobët zgjedhor për këtë parti prej Luftës së Dytë Botërore. Kështu, Partia Socialdemokrate, pas 11 vjetësh në qeveri, kalon në opozitë.

Zonja Merkel tha se dëshiron të jetë kancelare e të gjithë gjermanëve:

"Më lejoni po ashtu t’u them atyre, ky nuk është kërcënim, pasi e di se sa të rëndësishëm janë mbështetësit, që të jenë tolerantë. Dëshiroj që të jem kancelare për sa më shumë gjermanë që të jetë e mundshme. Ky është synimi im", tha Anglea Merkel, mbrëmë vonë, pas fitores në zgjedhje.

Liderët botërorë e kanë mirëpritur fitoren e kancelares gjermane, Angela Merkel, në zgjedhjet e djeshme parlamentare.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se pret të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Merkel.

Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, tha se konfirmim i fitores është rezultat i besimit të opinionit që ajo ka krijuar në katër vjetët e fundit.

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, i telefonoi kancelares Merkel për ta nënvizuar “vizionin e përbashkët” të tyre për një Evropë të fuqishme.

Blloku i Merkelit tash duket i gatshëm të formojë aleancën e qendrës së djathtë me Demokratët e Lirë, liberalët të cilët fituan afro 15 për qind të votave.
XS
SM
MD
LG