Ndërlidhjet

“Zgjedhjet lokale rikonfigurojnë skenën politike?“


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

INFOPRESS
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është kthyer të dielën nga Nju Jorku, optimist se kjo vizitë dhe takimet e shumta me krerë dhe përfaqësues të lartë shtetesh atje, pavarësisë së Kosovës do t’i sjellin shumë shpjet njohje të reja. Ai në Prishtinë ka sjellë edhe lajmin se tri shtete, si Katari, Malave dhe Tuvala, shumë shpejt pritet ta njohin pavarësinë e Kosovës. Në një konferencë për media, të mbajtur në ambientet e Aeroportit të Prishtinës, presidenti Sejdiu theksoi se qëllimi themelor i vizitës ka qenë që të takojë udhëheqës dhe përfaqësues të shumë vendeve të botës dhe posaçërisht të vendeve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës...

KOSOVA SOT
Procesi i anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE, përveç Kroacisë, duket i largët. Aktualisht, në agjendën e Bashkimit Evropian qëndron vetëm çështja e liberalizimit të vizave për vendet e rajonit. Ndërsa, pas procesit të liberalizimit të vizave, Serbia pretendon anëtarësimin e saj në BE, zyrtarë të lartë evropianë kanë tërhequr vërejtjen se raportet ndërfqinjësore mbesin një nga kriteret për secilin vend, në këtë rast edhe Serbisë ndaj Kosovës. Kreu i diplomacisë suedeze, Karl Bild, vend ky i cili udhëheq presidencën e radhës të BE-së, theksoi se raportet ndërfqinjësore mbesin një nga kriteret kryesore për secilin vend...

EXPRESS
“Sa noterë mund të ushtrojnë detyrën në një komunë? Deri në çfarë moshe mund të ushtrohet profesioni i noterisë?”. Këto janë disa nga pyetjet, të cilave, të dielën, është dashur t’u përgjigjen 565 juristë, të cilët kanë hyrë në testimin për provim të noterisë. Në mesin e këtyre kandidatëve, të dielën në këtë testim kanë hyrë edhe Arsim Janova, zëvendësminsitër i Drejtësisë, Hilmi Zhitija, kryeprokurori i Kosovës, Anton Nokaj, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, dhe Hilmi Jashari, ish u.d. i Ombudspersonit në Kosovë etj... Zyrtari i lartë në Ministrinë e Drejtësisë, Sait Shala, bën të ditur për “Express” se pas këtij testimi do të kualifikohen 200 kandidatë...

ZËRI
Edhe pse është ende herët të flitet për rezultatin e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit, tashmë shumica e partive politike kanë shfaqur haptas ambiciet e tyre. Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe në vend, është e bindur se jo vetëm që do t’i fitojë komunat ku aktualisht qeveris ajo, por do të fitojë edhe një numër tjetër të komunave. Partnerja e koalicionit të PDK-së, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila deri më 2007 e ka pasur primatin në skenën politike në vend, pret që më 15 nëntor t’i kthejë shumicën e komunave që i ka pasur deri para dy vitesh dhe sërish të rikthehet si subjekti numër 1 në vend. Më ambicioze duket të jenë partitë opozitare...

BOTA SOT
Pak ditë pasi Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit publikoi listën e ngushtë të kompanive që do të marrin pjesë në tenderin për ndërtimin e autostradës kombëtare në Kosovë, Durrës – Prishtinë, veprimtarë të Luginës së Preshevës, PSD-ja, partia e udhëhequr nga ish-kryeministri, Agim Çeku, dhe Lëvizja “Vetëvendosje” propozojnë që rruga të mos shkojë nga Prishtina në Merdare, vend ky që lidh Kosovën me Serbinë, por nga Prishtina të vijojë në drejtim të Gjilanit dhe të lidhë një pikë tjetër kufitare me shqiptarë, atë të Dheut të Bardhë, pikë kjo që lidh Bujanocin, përkatësisht gjithë Kosovën Lindore me Kosovën dhe më tej me Shqipërinë...

EPOKA E RE
Jelena Taliq, kandidate për kryetare të Komunës së Graçanicës, në një intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se, sipas analizave të deritanishme, serbët janë shumë të interesuar që në këto zgjedhje të marrin pjesë dhe ta japin kontributin e tyre për krijimin e një elite të re politike dhe që me votën e tyre të kontribuojnë për një jetë normale dhe me perspektivë evropiane. “Është koha e fundit që të rinjtë, përveç që janë shfrytëzuar nga partitë politike për mbledhje të votave dhe aktivitete dytësore, t’i marrin përgjegjësitë në duar të tyre dhe të dëshmojnë se janë të gatshëm për sfida shumë serioze, të cilat padyshim do t’i tejkalojnë më lehtë se ata, të cilët me vite merren me politikë”, ka thënë ajo...

KOHA DITORE
Katër deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe nj zëvendësministër i Qeverisë së Kosovës janë shprehur të gatshëm të braktisin funksionet e tyre në Prishtinë për t’u bërë kryetarë të komunave prej nga ata vijnë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Një vendosmëri kësisoj e këtyre politikanëve për kthim në vendlindje është shfaqur në kohën kur është konkludim i përgjithshëm shoqëror se Prishtina, si kryeqytet i Kosovës, është vend i më shumë mundësive për prekje të suksesit. Por, Agim Veliu dhe Fatmir Rexhepi, deputet të Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, do të përpiqen të bëhen kryetarë të komunave në Gjilan, përkatësisht në Podujevë...

LAJM
Kryeministri Hashim Thaçi tha të dielën se po numërohen ditët deri kur do të fillojë ndërtimi i autostradës Morinë-Prizren-Merdare. Ai, së bashku me ministrin e Transportit, Fatmir Limaj, i inspektoi punimet për ndërtimin e autostradës në aksin rrugor Sllatinë-Orllat-Gjurgjicë, prej 22 km, që është vazhdim i segmentit Fushë Kosovë-Sllatinë. “Po shihet se vendi ynë është duke u ndërtuar në të gjitha anët, po punohet në të gjitha pjesët, duke e shtuar numrin e autostradave, të cilat do të ndihmojnë në lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve të shtetit tonë”, tha kryeministri Thaçi...
XS
SM
MD
LG