Ndërlidhjet

Bizneset kosovare, të cilave me urdhrin e Administratës Tatimore të Kosovës do t’iu bllokohet importi dhe eksporti i mallrave, rrezikojnë të falimentojnë dhe ky është hap i gabuar i kësaj administrate. Kështu vlerësojnë ekspertë të ekonomisë.


Urdhri i Administratës Tatimore që Doganat e Kosovës t’ua ndalojnë importin dhe eksportin rreth 600 kompanive, për shkak të, siç thuhet, mospagesës së tatimit mbi vlerën e shtuar, do të rrezikojë jo vetëm ato kompani, por edhe arkën e shtetit.

Kështu ka reaguar Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Bizneseve, i cili e quan hap të ngutshëm dhe radikal urdhrin e Administratës Tatimore të Kosovës.

“Mendoj që ky është një tentim jo i qëlluar, për arsye se nëse u ndalet qarkullimi dhe veprimtaria biznesore, ato do ta kenë vështirë ta paguajnë borxhin”.

“Me siguri se këto 600 kompani kanë konteste mes ATK-së dhe bizneseve të tyre individuale dhe këto lëndë, shumica, janë në gjykata. Ato biznese mendojnë se do ta ndajnë drejtësinë përmes gjykatave dhe e kanë shpresën se gjykatat do ta ndajnë drejtësinë në favor të bizneseve”,
u shpreh Shahini.

Ndërkaq, Muhamet Mustafa, ekspert për ekonomi nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest”, tha se Administrata Tatimore duhet të përpiqet që të gjejë një zgjidhje të problemeve përmes komunikimit me bizneset, para se të ndërmerren, siç u shpreh ai, hapa radikalë për zgjidhjen e tyre.

“Unë mendoj se Administrata Tatimore është mirë të ndërmarrë masa për të vënë një rregull, për të krijuar një praktikë të sjelljes me kodeks edhe të bizneseve, edhe të pjesëtarëve të administratës. Megjithatë, bizneset duhet të paralajmërohen më parë për këto aksione, duhet të thirren asociacionet e tyre, të informohen”.

“Duhet të ekzistojë një komunikim para se të vijnë masat drastike, sepse një ‘terapi shok’ menjëherë mund të krijojë probleme. Gjithashtu duhet të shihet edhe ligji. Nëse ligji thotë se ka konteste, atëherë për pjesën e kontestuar duhet të pritet vendimi përfundimtar i gjyqit”,
tha Mustafa.

Në anën tjetër, Administrata Tatimore e ka ndërmarrë këtë hap, siç thuhet, për ta parandaluar evazionin fiskal.

Por, zoti Shahini vlerësoi se bllokimi i importit dhe eksportit për 600 kompanitë mund ta çrregullojë tregun, ndërkohë që, sipas tij, ka mjaft shkaktarë tjerë që po shkaktojnë evazion fiskal dhe jo këto kompani, për të cilat është lëshuar urdhëresa e bllokimit të importit dhe eksportit të mallrave.

“Evazioni më i madh është nga bizneset që bëjnë aktivitete dhe nuk janë të regjistruara hiç në ATK, e që këto janë të shumta. Mund të thuhet se mbi 50 për qind e bizneseve nëpër enklava nuk janë as të regjistruara dhe kanë miliona euro qarkullim vjetor”.

“Prandaj, për bizneset që janë në evidencë në Administratën Tatimore të Kosovës dhe paguajnë vazhdimisht taksa të ndryshme, nuk duhet që ATK-ja të marrë një vendim të tillë dhe t’ua vështirësojë aktivitetet biznesore. Madje, ua vështirëson edhe mundësinë për t’i paguar borxhet që ua kërkon ATK-ja”,
deklaroi Shahini.

Ndryshe, zoti Mustafa vlerësoi se masat e Administratës Tatimore mund të jenë me pasoja, por, sipas tij, edhe bizneset duhet të luajnë rolin e tyre në mënyrë korrekte dhe konform ligjeve.

“Patjetër që i dëmton bizneset edhe tregun, megjithatë edhe bizneset, edhe tregu duhet të dinë se shteti duhet t’i mbledhë tatimet. Mirëpo, para masave drastike, unë do të preferoja të ekzistojë një komunikim”.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG