Ndërlidhjet

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, lavdëron aktivitetin diplomatik lobues për Kosovën në Nju Jork, të zhvilluar nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni. Por, opozita kritikon institucionet për diplomaci pasive.


Opozita në Prishtinë kritikon institucionet se nuk kanë lobuar sa duhet për njohjen e shtetit të Kosovës.

Në vend të aktiviteteve ditore diplomatike, institucionet, sipas opozitës, më shumë janë të përqendruara në takime e forume ndërkombëtare, siç ishte edhe lobimi i këtyre ditëve në Nju Jork nga ana e presidentit Fatmir Sejdiu dhe ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni, përderisa atje po i zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Mirëpo, ndryshe mendon kryeministri Hashim Thaçi. Ai thotë se presidenti dhe ministri i Jashtëm kanë prezantuar Kosovën me sukses dhe si rezultat i këtij lobimi janë premtuar edhe njohje të reja.

“Mendoj se presidenti e tha shumë qartë. Ka qenë një lobim shumë i fuqishëm nga presidenti dhe ministri i Jashtëm”.

Kryeministri Hashim Thaçi

"Unë dua të besoj në qëndrimet, të cilat i ka prezantuar presidenti nga takimet që ka pasur me lidershipin botëror, nga presidenti Obama dhe liderët tjerë botërorë - kanë qenë takime që do të kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës”,
shprehet Thaçi.


Në anën tjetër, anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, thotë se qeveria dhe presidenti, në vend të aktiviteteve ditore diplomatike, kanë zgjedhur një diplomaci më pasive, duke pritur takime apo forume ndërkombëtare, të cilat, ndonëse konsiderohen të rëndësishme, sipas Arifit, nuk i përmbushin kërkesat e Kosovës, e cila ka nevojë për numër më të madh njohjesh.
Nuk ka punë sistematike të lobimit, nuk ka sistem lobues. Qeveria e Kosovës dhe i tërë aktiviteti lobues kryesisht mbështeten në aktivitetin e miqve tanë ndërkombëtarë...

“Nuk ka punë sistematike të lobimit, nuk ka sistem lobues. Qeveria e Kosovës dhe i tërë aktiviteti lobues kryesisht mbështeten në aktivitetin e miqve tanë ndërkombëtarë. Kundërshtarët e pavarësisë nuk janë aq të ligë dhe përderisa ata janë aktivë në baza ditore, aktiviteti ynë kryesisht është i përqendruar në konferenca të llojit siç është Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara”, thotë Arifi.

Ai po ashtu thotë se kosovarët nuk mund të jenë të kënaqur me numrin e njohjeve të deritashme, aq më tepër kur pavarësia është shpallur dhe mbështetur nga vendet më të fuqishme botërore.

“Është i pakënaqshëm, sepse pavarësia e Kosovës ka qenë, siç thotë kryeministri, e koordinuar. E më kë ka qenë e koordinuar - me fuqitë më të mëdha në botë, do të thotë me SHBA-të, BE-në..., shtetet më të forta në botë e kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës”.

“Nëse mendojmë që me këtë mbështetje të jenë vetëm 63 – 64 shtete, është shumë pak dhe arsyeja pse është pak ka të bëjë me fjetjen totale të institucioneve të Kosovës”,
thekson Arifi.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi thotë se puna e qeverisë dhe institucioneve në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e shkallës së demokracisë në vend, do të jetë lobimi më i mirë për Kosovën.
Njohje më të mëdha për Republikën e Kosovës ndodhin pikërisht duke u nisur nga suksesi që kemi ne në Kosovë, nga kjo punë që është duke u bërë anekënd Kosovës...

“Njohje më të mëdha për Republikën e Kosovës ndodhin pikërisht duke u nisur nga suksesi që kemi ne në Kosovë, nga kjo punë që është duke u bërë anekënd Kosovës, nga puna e mirë, qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, respektimi i minoritarëve, e natyrisht edhe ngadhënjimi i demokracisë së re, që është përgjegjësi e gjithë spektrit politik, institucioneve dhe qytetarëve të Republikës”, thotë Thaçi.

Sidoqoftë, parti politike, por edhe analistë i kanë sugjeruar në vazhdimësi qeverisë që të shtojë lobimin për njohje të reja, duke angazhuar edhe figura politike nga jashtë, që njihen si përkrahës dhe miq të Kosovës.

Deri tani, një aktivitet të pavarur diplomatik ka zhvilluar edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, kurse shumë diplomatë ndërkombëtarë gjatë vizitave të tyre në Kosovë nuk e kanë fshehur se kanë qenë të angazhuar në mbështetje diplomatike për Kosovën, por me nismat e tyre dhe jo të Prishtinës zyrtare.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Të ndërlidhura

XS
SM
MD
LG