Ndërlidhjet

Riatdhesohen dhjetëra kosovarë


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Dhjetëra kosovarë që deri më tani kanë jetuar në Gjermani, sot kthehen në mënyrë të detyrueshme në Kosovë. Riatdhesimi i tyre shënon edhe zyrtarisht zbatimin e marrëveshjeve që Qeveria e Kosovës i ka nënshkruar me vendet anëtare të BE-së.

Në Kosovë sot ka nisur edhe zyrtarisht procesi i riatdhesimit të kosovarëve nga shtetet perëndimore. Aeroplani i parë nga Gjermania ateroi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, me dhjetëra mërgimtarë, të cilët nuk e kanë pasur të definuar statusin e qëndrimit të tyre në këtë vend, bëjnë të ditur zyrtarë qeveritarë.

Fisnik Rexhepi, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se kjo ministri ka bërë verifikimin e identitetit të të gjithë qytetarëve, që sot janë kthyer në mënyrë të detyrueshme nga Gjermania.

Edhe pse më herët është thënë se të gjithë të kthyerit i takojnë komunitetit rom, autoritetet kompetente pohojnë se të kthyerit u përkasin të gjitha komuniteteve që jetojnë në vend, ndonëse numri më i madh i takon pakicës rome.

Qeveria e Kosovës
“Ne jemi në kontakt me Qeverinë gjermane për të bërë riatdhesimin e disa qytetarëve të Republikës së Kosovës sipas procedurave dhe standardeve të operimit që janë në fuqi, në përputhje me strategjinë e riatdhesimit që është miratuar nga Qeveria e Kosovës”,
shpjegon Rexhepi.

Me verifikimin e identitetit të tyre përfundon edhe puna e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sipas procedurave për riatdhesim, pas arritjes së kosovarëve në aeroport, duhet të kujdeset Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Muharrem Ahmeti, këshilltar i lartë në këtë ministri, thotë se ky institucion kujdeset vetëm shtatë ditë për personat e riatdhesuar, ndërkaq, pas kësaj periudhe, ata duhet vetë të gjejnë ndonjë zgjidhje.

“Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bazë të ligjit, i takon t’i presë të gjithë njerëzit që riatdhesohen në Kosovë. Kështu që ministra ka kontraktuar një kompani që merret me shërbimet teknike dhe do të bëjë akomodimin e tyre”.

“Për shtatë ditë do t’i vendosë në hotele apo te të afërmit e tyre, ndërkaq pas shtatë ditësh ata duhet ta zgjedhin vetë çështjen”,
thotë Ahmeti.

Për shkak të buxhetit të kufizuar, Ministria e Punës nuk ka mundësi të gjejë ndonjë zgjidhje më afatgjate, thotë Ahmeti, përveçse t’i regjistrojë në listat e skemave sociale.

“Duke ditur që situata sociale edhe ashtu është e rënduar në Kosovë dhe buxheti i Ministrisë së Punës është shumë i ngarkuar, ky fluks i madh i refugjatëve që do të kthehet, do ta rëndojë edhe më shumë. Kështu që do të jemi në një gjendje shumë të vështirë”, shprehet ai.

Në anën tjetër, përfaqësues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut pohojnë se në Kosovë është krijuar situata politike për riatdhesim, por, sipas tyre, situata sociale është e rëndë për një proces të tillë.

Behxhet Shala, nga ky këshill, thotë se institucionet qeveritare vetëm kanë nënshkruar marrëveshje për riatdhesim, ndërkaq nuk kanë përgatitur ndonjë projekt për t’iu mundësuar të të kthyerve ambient për rehabilitim.

Ai vlerëson se ky proces, përveç se do të ndikojë në rritjen e shkallës së varfërisë dhe të papunësisë, në mënyrë të dukshme do të rrisë edhe shkallën e kriminalitetit.

“Për refugjatët, të cilët kthehen, nuk është i interesuar askush që të merret me ta seriozisht. Nuk është i interesuar askush që të krijojë kushte që këtu të fillojnë një jetë të re, më dinjitoze, t’ua hapë një perspektivë. Prandaj, shumica e atyre që sot kthehen nga Gjermania, pas një kohe do të kërkojnë një kanal tjetër për të shkuar në një vend tjetër”, deklaron Shala.

Pavarësisht problemeve që mund t’i shkaktojë ky proces, autoritetet kosovare pohojnë se Qeveria e Kosovës do të nënshkruajë marrëveshje për riatdhesimin e kosovarëve edhe me Norvegjinë, Belgjikën dhe Zvicrën.

Marrëveshjet kanë të bëjnë me kthimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët jetojnë në këto vende dhe nuk kanë të definuar statusin e qëndrimit të tyre.

Ndryshe, sipas tyre, procesi i riatdhesimit të kosovarëve pa leje qëndrimi në shtetet perëndimore do të përshpejtohet, për shkak të domosdoshmërisë së përmbushjes së kritereve të procesit të liberalizmit të vizave dhe integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG