Ndërlidhjet

Prokuroria (jo)transparente


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Në Ditën Ndërkombëtare të së Drejtës për të Ditur, shoqëria civile në Kosovë ka akuzuar disa nga institucionet për moszbatim të Ligjit për qasje në dokumentet zyrtare. Ndërsa, sipas një hulumtimi të bërë, ka identifikuar Prokurorinë e Kosovës si institucionin më jotransparent. Policia e Kosovës vlerësohet të jetë institucioni më i hapur në dhënien e informacioneve zyrtare.


Edhe pas gjashtë viteve të miratimit të ligjit, qasja në dokumente zyrtare mbetet problematikë. Moszbatimi i këtij ligji vazhdon të kritikohet nga shoqëria civile, ndërkaq zyrtarë të institucioneve vendore vlerësojnë se ligji është i praktikave të mira ndërkombëtare, por që ka nevojë për një ndryshim dhe plotësim.

Zëdhënësja e Ministrisë së Administratës Publike, Majlinda Lulaj, thotë se autoritetet janë të vetëdijshme se transparenca është kusht demokratik dhe kjo, sipas saj, ka bërë që qeveria në vazhdimësi të mundohet që të krijojë mekanizma më të mirë të transparencës.

“Kërkesat e vazhdueshme, vërejtjet dhe rekomandimet që i kemi marrë në vazhdimësi, qoftë nga qytetarët apo mediat, kanë bërë që institucionet t’i pranojnë ato dhe të punojnë në bazë të atyre rekomandimeve. Ndryshimet që do të bëhen, besoj se do të jenë të pranueshme për të gjithë ata që janë të interesuar për dokumente zyrtare brenda institucioneve”, shprehet Lulaj.

Ligji për qasje në dokumente zyrtare, i cili ishte miratuar para gjashtë viteve, sipas zëdhënëses Lulaj, pritet të pësojë ndryshime brenda këtij viti.

“Ligji për qasje në dokumente zyrtare mund të ketë pasur mangësi dhe lëshimet e veta, por ka ofruar një bazë të mirë ligjore për të krijuar transparencë institucionale”.

“Megjithatë, ndryshmet e reja, siç është Kushtetuta e Kosovës, ofrojnë mundësi të reja dhe natyrisht ndryshimi i Ligjit për qasje në dokumente zyrtare është më se i domosdoshëm, në kuptimin e asaj që të krijohet një përshtatshmëri edhe me institucionet e reja dhe me gjendjen aktuale të shtetësisë së Kosovës”,
thotë Lulaj.

Ndërkaq, kryetari i Lëvizjes “Fol”, Ramadan Ilazi, thotë se edhe vetë zyrtarët duhet të trajnohen në lidhje me zbatimin e Ligjit për qasje në dokumente zyrtare. Ai kritikon qeverinë aktuale për mospërputhje të retorikës së saj për transparencë dhe veprime konkrete në këtë drejtim.

“Në hulumtimet tona kemi vërejtur se në përgjithësi gjyqësori i Kosovës është në një gjendje shumë të rëndë edhe sa i përket efikasitetit, edhe
transparencës së vetë proceseve”.

“Nga gazetarët, me të cilët kemi biseduar, kemi kuptuar se në shumicën e rasteve ata dëbohen nga sallat e gjykimit, e po ashtu edhe nga zyrat pritëse. Ne kemi vendosur që Prokurorinë e Kosovës ta shpallim institucionin më të mbyllur”,
deklaron Ilazi.

Raba Gjoshi, nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, thekson se është obligim i institucioneve qeveritare që t’i informojnë qytetarët, të cilët u kanë dhënë legjitimitet, si dhe taksapaguesit për vendimet që merren.

“Konsiderojmë se hapja e institucioneve ndaj qytetarëve është shumë e rëndësishme, prandaj fshehja e informacioneve nuk duhet të ndodhë. Kjo është një gjë që i takon vetëm të kaluarës”.

“Ne, sot, duke i dhënë mirënjohje Policisë së Kosovës si institucioni më i hapur dhe duke e shpallur prokurorinë si institucionin më të mbyllur, dëshirojmë t’i tregojmë praktikat se si funksionojnë institucionet në Kosovë”,
thotë Gjoshi.

Shoqëria civile në Kosovë, Ditën Ndërkombëtare të së Drejtës për të Ditur e ka shënuar me aktivitete, të cilat kanë pasur për qëllim informimin e qytetarëve për të drejtën e tyre mbi qasjen në dokumente zyrtare.
XS
SM
MD
LG