Ndërlidhjet

Decentralizimi - motiv për të dalë në zgjedhje


Më se 20 subjekte politike serbe janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhjet e nëntorit. Ato presin që pas zgjedhjeve të formohen vetëqeverisjet lokale funksionale, që do të punojnë për përmirësimin e kushteve të jetesës së bashkësisë serbe.


Përkundër vlerësimeve të disa përfaqësuesve politikë serb se nuk ekzistojnë kushte që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, më shumë se 20 subjekte politike serbe janë paraqitur për pjesëmarrje në këto zgjedhje. Një nga to është edhe Partia e Pavarur Liberale, e cila tashmë merr pjesë në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.

Sllobodan Petroviq, kryetar i kësaj partie dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, vlerëson se këto zgjedhje lokale janë tejet të rëndësishme për bashkësinë serbe, për shkak se, siç thotë ai, duhet të krijohen vetëqeverisjet lokale të fuqishme, të cilat do të punojnë për qëndrimin e serbëve, si dhe kthimin e të zhvendosurve në Kosovë.

“Unë e di se është shumë më e lehtë të kritikosh, të qëndrosh anash, të mos marrësh pjesë në zgjedhje, por e di se me siguri mospjesëmarrja do të sjellë humbje. Askush nuk do të mund t’i identifikojë kërkesat tona më mirë se ne”.

Sllobodan Petroviq
“Ky është një rast që po i ofrohet bashkësisë serbe që ajo ta marrë fatin e saj në duar, gjegjësisht, përmes institucioneve të qeverisjes lokale, të punojë për një qëndrim. Në këtë kuptim, të përmirësojë kushtet e jetës, në mënyrë që të sigurojë edhe kthimin e atyre njerëzve që e kanë braktisur Kosovën”,
shprehet Petroviq.

Ndryshe, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë 7 parti, 13 nisma dhe një kandidat i pavarur nga bashkësia serbe, që tashmë janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të nëntorit.

Në mesin e tyre është edhe Lëvizja Serbe e Ripërtëritjes. Kryetari i kësaj lëvizjeje, Momçillo Trajkoviq, thotë se do të angazhohet që serbët të bëhen subjekt politik.
Mendoj se ky është rast që serbët e Kosovës ta marrin fatin në duart e tyre, që të bëhen subjekt politik dhe të ndikojnë në zgjidhjen e fatit të tyre...

“Mendoj se ky është rast që serbët e Kosovës ta marrin fatin në duart e tyre, që të bëhen subjekt politik dhe të ndikojnë në zgjidhjen e fatit të tyre. Është rast që të tregojnë dëshirën e tyre për integrim, pa e përkrahur shtetin e pavarur të Kosovës”.

“Pavarësisht se nga Beogradi nuk ka ndonjë porosi të qartë, mendoj se nuk duhet ta lëshojmë këtë rast dhe për këtë shkak edhe motoja jonë për zgjedhje është emëruar ‘Tash ose kurrë’. Do të thotë, ne ndjejmë se duhet ta marrim fatin në duart tona tash ose kurrë”,
thotë Trajkoviq.

Në anën tjetër, zgjedhjet e nëntorit do të nënkuptojnë edhe formimin e komunave të reja me shumicë serbe dhe përveç kësaj edhe më shumë kompetenca për qeveritë lokale në përgjithësi.

Prej pesë komunave të reja, të cilat janë paraparë të formohen në bazë të Planit të Marti Ahtisarit dhe procesit të decentralizimit, zgjedhjet do të organizohen në Graçanicë, Ranilug, Kllokot, si dhe në komunën e zgjeruar të Novobërdës.

Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës kanë vlerësuar se për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat e ardhshme në veriun e Mitrovicës dhe në Partesh, nuk ka kushte.

Petroviq thekson se zbatimi i procesit të decentralizimit është motiv kryesor për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Për ne është parësore që ato komuna të organizohen në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjithsesi se në ato komuna ne kemi dhënë kandidatët tanë dhe decentralizimi nuk nënkupton vetëm formimin e komunave të reja, por edhe u jep autorizime komunave ekzistuese”, thotë Petroviq.

Edhe Momçillo Trajkoviq pohon se qeveria lokale funksionale në mjediset serbe do ta ketë rolin kryesor për stabilitetin e bashkësisë serbe.

“Vetëqeverisja lokale është rast që serbët e Kosovës të tregojnë se dëshirojnë të qëndrojnë në vendin e tyre dhe të bëjnë përpjekje duke shfrytëzuar institucionet e qeverisjes lokale”, përfundon Trajkoviq.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG