Ndërlidhjet

Miratohet lirimi i 75 të të burgosurve

  • RFE /RL

Guantanamo

Guantanamo

Grupi punues i administratës së presidentit Barak Obama deri më tash ka miratuar lirimin e 75 të të burgosurve, nga 223 sosh sa kanë mbetur në Guantanamo të Kubës, në përpjekje për të përmbushur qëllimin që deri në janar të vitit të ardhshëm kjo qendër burgimi të mbyllet – ka njoftuar zëdhënësi i ushtrisë të hënën.

Ekipet speciale po rishikojnë lëndët e secilit të burgosur, për të vendosur se cili duhet të vazhdojë të mbahet për shkak të gjykimit, cili duhet liruar dhe cili duhet bartur në shtetin e tretë.

Obama kishte caktuar datën 22 janar të vitit të ardhshëm si kohë për mbylljen e qendrës për të dyshuarit për terrorizëm, por ministri i Mbrojtjes, Robert Gejts, të dielën, për “ABC Njuz” (ABC News), ka deklaruar se “një gjë e tillë është më e vështirë seç është vlerësuar” dhe rrjedhimisht do të jetë "vështirë" të arrihet afati i paraparë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, ka thënë se administrata nuk është e fokusuar në atë se a do të përmbushet afati i paraparë ose jo, por në atë se si të realizohet progresi më i madh i mundshëm.

Zyrtarët ushtarakë në Guantanamo kanë publikuar një listë në gjuhën angleze, arabe dhe pashte, përmes së cilës të burgosurit mund të kuptojnë se cilët nga ta do të lirohen.

Në këtë listë, e cila vazhdimisht po plotësohet, aktualisht janë 78 të burgosur, përfshirë dhe dy uzbekë të transferuar në Irlandë dhe një banor të Jemenit, i cili është kthyer në vendin e tij.

Brenda listës janë 30 të burgosur, lirimin e të cilëve e kanë urdhëruar gjykatat civile amerikane, përfshirë dhe 13 ujgurë, të cilët i ka pranuar shteti Palau.

Po ashtu janë edhe 26 të burgosur nga Jemeni, 9 nga Tunizia, 7 nga Alzhiri, 4 nga Siria, 3 nga Libia, 3 nga Arabia Saudite, 2 nga Uzbekistani, 2 nga Egjipti, 2 nga Bregu Perëndimor, 2 nga Kuvajti, 1 nga Azerbajxhani dhe 1 nga Taxhikistani.

Shumica janë zënë në Afganistan dhe Pakistan, pas intervenimit të Shteteve të Bashkuara në Afganistan, më 2001 – intervenim ky që ka pasuar si përgjigje ndaj sulmeve terroriste të Al Kaidës në Nju Jork e Uashington, më 11 shtator të vitit 2001.

XS
SM
MD
LG