Ndërlidhjet

Greqia: Maqedonia shtrembëron historinë


Pamje në Athinë
Pamje në Athinë

Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë sot ka reaguar ndaj Enciklopedisë së Maqedonisë, duke vlerësuar se “ky tentim i ri për falsifikimin e historisë nga ana e Qeverisë së IRJM-së, nuk befason”.



Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Gregori Delavekuras, u ka thënë mediave greke se “Qeveria e zotit Gruevski në mënyrë sistematike promovon jotolerancë dhe nacionalizëm” dhe ka shtuar se “zoti Gruevski tentoi ta përmirësojë imazhin e tij në politikën e brendshme, duke shpikur armiq të shtetit dhe duke i përkeqësuar marrëdhëniet me fqinjët”.

Në këtë aspekt, zëdhënësi Delavekuras tha se “kryeministri i IRJM-së është thjesht i painteresuar për kriterin kryesor për përparimin e vendit të tij drejt BE-së, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore” dhe vlerësoi se “krijon kushte për jostabilitet rajonal”.

Lidhur me Enciklopedinë e Maqedonisë, për të cilën kanë reaguar shqiptarët duke thënë se ajo i fyen ata dhe ndjenjat e tyre kombëtare, është prononcuar edhe lideri i LSDM-së opozitare, Branko Cërvenkovski.

Ai tha se disa pjesë të Enciklopedisë janë kontestuese dhe të papranueshme, pasi shkaktojnë ndarje të reja dhe tensione në Maqedoni.

Zoti Cërvenkovski i ka cilësuar si të papranueshme edhe reagimet radikale, siç është shprehur ai, të partive politike shqiptare.

“Projekti i Enciklopedisë nuk është financuar nga donacionet private, por nga buxheti i shtetit, kurse Enciklopedia ishte promovuar personalisht nga kryeministri Gruevski”, tha Branko Cërvenkovski.
XS
SM
MD
LG