Ndërlidhjet

Studentët kundër Ahmadinexhadit

  • RFE /RL

Mahmud Ahmadinexhad

Mahmud Ahmadinexhad

Qindra studentë të Universitetit Sharif në Teheran kanë organizuar protestë antiqeveritare – të dytën brenda dy ditësh. Shumica thërrisnin “Vdekje diktatorit”, “Të burgosurit politikë duhet të lirohen”, duke iu referuar kështu më se 100 njerëzve që gjenden në burgjet e Iranit, që nga përleshjet pas-zgjedhore në qershor.

Studentët u zotuan se protestat do të vazhdojnë derisa qeveria e presidentit Mahmud Ahmadinexhad të jetë në pushtet.

Njëri nga pjesëmarrësit i tha Radios Evropa e Lirë se protestat u mbajtën edhe kundër ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Kamran Daneshjou, i cili ishte në universitet për të inauguruar bibliotekën e re si dhe për të shënuar fillimin e vitit të ri akademik.

Protesta në Universitetin Sharif të Iranit pasoi atë të një dite më parë, gjatë së cilës rreth 1 mijë studentë kërkuan dorëheqjen e qeverisë së Ahmadinexhadit.

Disa ueb-sajte iraniane kanë raportuar se të paktën dy studentë janë arrestuar nga forcat e sigurimit.

Presidenti Ahamdienaxhad nuk ishte i pranishëm në ceremoninë që shënonte fillimin e vitit të ri akademik në Universitetin e Teheranit – një ngjarje kjo që tradicionalisht përcillet dhe nga presidenti.

Sidoqoftë, thuhet se autoritetet iraniane kanë rritur trysninë mbi studentët që kanë marrë pjesë në demonstratat pas-zgjedhore si dhe tek ata që gjatë fushatës parazgjedhore kishin përkrahur Karubin dhe Musavin – dy rivalët reformistë të Ahmadinexhadit.

XS
SM
MD
LG