Ndërlidhjet

S'e pengon dhe s'e zbaton protokollin


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës nuk do të bëhet pengesë e zbatimit të protokollit policor ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, sepse nuk ka qenë palë e përfshirë në këtë aranzhim, ka thënë sot zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.



Qeveria e Kosovës nuk do ta zbatojë, por as nuk do të bëhet pengesë e protokollit për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, tha sot zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Këto komente, Kuçi i bëri gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku ai sqaroi pozicionin e Qeverisë në lidhje me zbatimin e marrëveshjes teknike ndërmjet misionit të BE-së dhe Serbisë, me të cilën EULEX-i synon të vendosë një shkëmbim informacionesh me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, në lidhje me menaxhimin e kufirit, krimin e organizuar, kontrabandën dhe trafiqet.

Ishte deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gjylnaze Syla, ajo e cila kërkoi sqarime nga Qeveria se si do të veprohet, pasi që ky protokoll pritet të zbatohet nga tetori i këtij viti.

“Meqenëse zbatimi i tij (protokollit) kërkon përfshirjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, pyetja ime është: Çfarë do të bëjë Qeveria, a do ta pengoni zbatimin e marrëveshjes në territorin e Kosovës apo do të bashkëpunoni?”, u shpreh Syla.

Duke qenë se bëhet fjalë për një aranzhim teknik ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, ku Qeveria e Kosovës nuk ishte palë e marrëveshjes, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Qeveria nuk e zbaton, por as nuk e pengon atë.

Sidoqoftë, vijoi Kuçi, për luftimin e të gjitha llojeve të krimit brenda territorit të Kosovës, Qeveria mbetet faktori kryesor.

“Qeveria e Kosovës nuk ka qenë palë në këtë aranzhim teknik dhe kjo e jep në një mënyrë edhe përgjigjen në atë që ju po kërkoni. Natyrisht se Qeveria e Kosovës nuk ka pse të bëhet pengesë në aranzhmanin e tillë, në të cilin nuk ka qenë e përfshirë”.

Hajredin Kuçi

"Por, Qeveria e Kosovës mbetet faktori kryesor në luftimin e krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative që ndodhin në territorin e Kosovës dhe jashtë saj. Ky është aranzhim mes EULEX-it dhe Qeverisë së Serbisë, ku Qeveria dhe institucionet e Kosovës nuk do të jenë pjesë e këtij aranzhmani”,
tha Kuçi.


Ndërsa EULEX-i ka paralajmëruar se nga tetori do t’i fillojë konsultimet me Serbinë për zbatimin e protokollit ndërpolicor, si dhe janë paralajmëruar dy protokolle të tjera, njëri nga fusha e gjykatave dhe tjetri nga fusha e doganave, Qeveria në Prishtinë, sipas Kuçit, do të vazhdojë me politikat e veta, si dhe me bashkëpunimin e saj me vendet fqinje, duke i parë protokollet e EULEX-it si aranzhime që kanë të bëjnë me Qeverinë e Serbisë.

“Qeveria e Kosovës do ta kryejë punën e vet për bashkëpunim me shtetet fqinje për t’i luftuar dukuritë negative, por gjithmonë duke e respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi”.

“Po ashtu, duhet të kemi parasysh se Policia e Republikës së Kosovës gjithmonë do t’i respektojë ligjet tona, do të subordinohet plotësisht dhe do të jetë gjithmonë në përputhje me veprimet që kërkohen nga qytetarët e Republikës. Por, Kosova nuk do të jetë e izoluar në luftimin e kriminalitetit dhe bashkëpunimin rajonal”,
theksoi Kuçi.

Zyrtarët e EULEX-it sot nuk kanë dashur të komentojnë asgjë në lidhje me fillimin e zbatimit të protokollit policor dhe bisedimeve për protokollet tjera me Serbinë dhe vendet tjera të rajonit.

Protokolli i parë policor me Serbinë, në Kosovë ishte kundërshtuar nga institucionet, ishte pritur edhe me protesta në rrugë, përderisa aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, në shenjë revolte, patën demoluar rreth 30 vetura të këtij misioni.
XS
SM
MD
LG